Veseli uron deputetët e Maqedonisë për votimin e ndryshimeve kushtetuese

Veseli: Edhe njëherë vota e bashkkombasve tanë u dëshmua vendimtare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka uruar deputetët e Kuvendit Maqedonisë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me anë të së cilave tashmë ky shtet emërohet si Republika e Maqedonisë së Veriut.

Veseli merita për këtë ua ka atribuuar edhe deputetëve shqiptarë.

“ Urimet më të mira për votën historike që kolegët e mi në Shkup sapo kanë dhënë për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës. Ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve për shtetin mik tonin dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit tonë. Nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara. Edhe njëherë vota e bashkombasve tanë u dëshmua vendimtare për këtë rrugëtim prandaj merita e mirënjohje të veçantë iu takon deputetëve shqiptarë që e shtynë përpara këtë proces . “, ka shkruar Veseli në Facebook.

Me shumicë votash, konkretisht 81 vota, Parlamenti i Maqedonisë votoi ndryshimet kushtetuese, ndërsa me këtë – përfundoi procesi i Marrëveshjes së Prespës. Tashmë emri zyrtar i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa u pranuan edhe disa nga kërkesat e opozitës shqiptare./21Media

Back to top button