Sot fillon viti i ri shkollor

Sot fillon viti i ri shkollor

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli sot ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Veseli shpreson që ky vit të jetë sa më i mbarë.

“Me këtë fotografi nga shkolla e parë shqipe në Stubëll, dua të uroj të gjithë nxënësit e Kosovës për ditën e parë të shkollës. Shpresoj që ky vit të jetë sa më i mbarë, i frytshëm e me rezultate sa më të mira për ta! Një urim veçanërisht të përzemërt e përcjell për ata nxënës që për herë të parë do të ulen sot në bankat e shkollës, duke nisur kështu një ndër rrugët më të bukura të jetës, rrugën e diturisë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij “Facebook”.

Veseli ka uruar edhe mësimdhënësit dhe prindërit.

“Ata që nëpërmjet punës së tyre fisnike në përgatitjen e brezit të ri, kontribuojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Urime gjithashtu prindërve në rrugën e përmbushjes nëpërmjet shkollimit, të ëndrrave më të mira që ata kanë për fëmijët e tyre! I siguroj ata se sakrifica që bëjnë për t’u mundësuar fëmijëve arsimim sa më cilësor, një ditë do të shpërblehet”, ka shkruar tutje ai./21Media