Veseli: Vendimet i marrim bashkë me SHBA-të

Veseli ka thënë se Kosova është e vendosur që ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me SHBA-të

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë pas takimit me Ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, se vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, do të jenë në interes të qytetarëve dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Nëpërmjet një deklarate në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj sot patëm një takim tejet konstruktiv dhe diskutuam për sfidat që na presin gjatë këtij viti. Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë.”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook.

Veseli dhe Haradinaj kanë realizuar një takim me ambasadorin e Amerikës në Kosovë, Philip Kossnet. Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave në kabinetin e Veselit dhe është diskutuar për takës 100% të vendosur ndaj mallrave sebre. Ky takimi ka filluar në orën 12:00 dhe ka përfunuar para pak çastesh, mirëpo nuk pati prononcim për media nga asnjëra palë. I pari që doli nga takimi dhe ndërtesa e Kuvendit ishte ambasadori amerikan dhe më pas edhe kryeministri Haradinaj.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarsimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takes janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button