Veseli zotohet se do të luftojnë korrupsionin

Veseli zotohet se do të luftojnë korrupsionin

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, për çka i ka ftuar institucionet përgjegjëse që të punojnë më shumë. Duke folur para të pranishmëve në Konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, Veseli ka thënë se nëpërmjet korrupsionit po dëmtohen qytetarët e Kosovës, shteti dhe perspektiva e tij.

“Korrupsionin mund dhe duhet ta ndalim vet, secili, pa mëshirë. Duhet ngushtuar hapësirën për njerëzit e korruptuar, që nga politikanët, nga të cilët kemi mjaft dhe flasin më së shumti. Por nganjëherë duhet sanksionuar edhe gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre, ngase gjyqësori duhet të jetë i paanshëm”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka shfaqur besimin se me reformat që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor dhe me kapacitetet aktuale, ka mundësi dhe siç ka thënë ai, ka heronj të cilët do të dalin dhe do të ngrisin aktakuza edhe për njerëz të profilit të lartë politik.

Kreu i Kuvendit ka thënë se njerëzit janë duke ikur nga Kosova, para së gjithash, sepse atyre u ka humbur besimi dhe ai besim duhet rikthyer.

Në këtë konferencë u paraqit edhe vizioni për formimin e Gjykatës Komerciale e cila është propozuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe do tu mundësojë bizneseve që të zgjidhin më shpejt kontestet e tyre. Duke folur për investimet dhe bizneset në Kosovë, kryeparlamentari ka thënë se vonesat në zgjidhjen e kontesteve kanë shkaktuar probleme të mëdha në funksionimin e tyre, por edhe në ardhjen e investitorëve të rinj nga jashtë.

Sipas tij, Kosova ka resurse të jashtëzakonshme humane dhe natyrore për zhvillim dhe për të mbajtur brenda njerëzit e saj. Kjo, sipas tij, bazohet në një strategji të mirëfilltë ekonomike, e cila bazamentin e ka në praktikat më të avancuara të ndërmarrësisë dhe ekonomisë së lirë private.

“Kjo është arsyeja pse e kemi shtyrë përpara procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe përgëzoj ministrin për hapat konkretë në këtë drejtim. Besoj që në një kohë rekorde do ta miratojnë ligjin në Kuvend dhe të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për funksionalizimin e shpejtë të gjykatave komerciale”, ka deklaruar ai.

Ndër tjerash, Veseli ka shtuar nevojë e harmonizimit të ligjeve, në mënyrë që të mos ketë ndërlikime dhe për rrjedhojë mos zbatim i tyre në praktikë.

Krijimi i Gjykatës Komerciale në një të ardhme të afërt u paralajmërua nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili është zotuar se Gjykata Komerciale, do të jetë adresë dhe do të ketë efikasitetin e duhur për trajtimin e çështjeve komerciale./21Media