Vetëm 17% e grave në Kosovë kanë pronë

Një ndër problemet kyçe në Kosovë mbeten të drejtat e grave, krahas mungesës së sundimit të ligjit

Vetëm 17 përqind e grave kanë ndonjë pronë të tyre. Ndërsa nga 38 përqind e grave të divorcuara që kanë kërkuar të drejtën e tyre në pasurinë e përbashkët, vetëm njëra prej tyre e ka realizuar këtë të drejtë. Kështu u tha në tryezën e diskutimit me rastin e publikimit të raportit të hulumtimit rreth pasurisë së përbashkët dhe mbajtjes financiare, të Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi.

Drejtoresha e INJECT, Luljeta Aliu, tha se Gjykatat duhet të respektojnë kornizën ligjore.

Ajo tha se 50 përqind e grave të divorcuara kanë përjetuar dhunë në familje. Në bazë të hulumtimit, Aliu u shpreh se 38 përqind e grave të divorcuara e kanë kërkuar pasurinë e tyre, porse 60 përqind e tyre nuk e kanë marrë.

“70 përqind kanë vendim të gjykatës për alimentacion, ndërsa vetëm 25 përqind e grave e kanë marrë me rregull. 60 përqind e grave që janë deklaruar kanë thënë se bashkëshorti nuk ka pasur pasuri të veçante, ndërsa ato nuk e kanë marrë gjysmën e pasurisë”, tha ajo.

Naim Qela, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë dhe koordinator për Dhunë në Familje, tha se shoqëria duhet të mësohet me mendimin ndryshe. Sipas tij, praktika gjyqësore në Kosovë nuk e ka vetëm anën e keqe, por e ka edhe anën e mirë.

“Padyshim se kemi pasur një të kaluar të vështirë por kemi pasur një praktikë gjyqësore. Ne duhet të kemi parasysh edhe zhvillimin e shoqërisë sonë si popull, ndërhyrjet që kemi pasur. Megjithatë kemi arritur të krijojmë një gjyqësor solid.. Çka po ndodh sot me gratë është për tu shqetësuar”, tha ai.

Avokati Anton Nrecaj, tha se në të gjitha rastet, gratë janë viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut.

“Në çështjet e ndarjes së pasurisë viktima kryesore është femra. Disa gjëra nuk janë duke funksionuar në praktikë sado e mirë që është korniza ligjore. Unë jam të mos ketë disa procese te shkurorëzimit, me një proces përfundojnë te gjitha”, u shpreh ai.

Back to top button