Veterani i UÇK-së që fle në rrugë

Për të periudha e pasluftës ishte më e vështirë sesa vetë lufta

Për nëntë vjet jetoi në Amerikë, por me të filluar lufta në Kosovë, Ali Balidemaj, veteran i UÇK-së u kthye në vendlindje, për t’u rreshtuar përkrah bashkëluftëtarëve të Koshares. Me vetëdëshirë u kthye nga Amerika për t’i shërbyer atdheut, por ai nuk e mori me mend se do të ndodhej në një situatë të vështirë pas gati dy dekadash.

Në emisionin “Për ditë të Mbarë” që transmetohet në RTV21, Balidemaj rrëfeu për kushtet e vështira në të cilat po jeton, por prapë se prapë thotë se të njejtën do ta bënte edhe tash.

“Jeta vetë sfidë, vetë luftë, lloj lufte. Nuk kam mujt me u përshtat me atmosferën që është krijuar në Kosovë pas lufte, disa gjana kanë qenë jo të rregullta. Nuk kam pasur mundësi t’i ndryshoi ato gjana. Ata çka kam ba për Kosovë, e kam ba me vetëdëshirë, nuk lavdohem por mburrem dhe prapë do bëj nëse është nevoja”, tha Balidemaj duke shtuar se vuan për kulm mbi kokë.

Madje, siç tregon ai 10 euro është shuma që paguan për të kaluar natën në ndonjë shtëpi, e në raste edhe më ekstreme shumë herë është detyruar të fle rrugëve të Prishtinës, shkruan rtv21.tv

E vetmja dëshirë e veteranit është që ta ketë të ëmën me vete, sepse siç ai tregon ajo ndodhet në Mal të Zi, mirëpo Balidemaj konsideron se një gjë e tillë është problem të ndodhë.

“Nanën e kom në Mal të Zi, kisha dasht me pru këtu, por këtu nganjëherë je me punë, se s’je i sigurt në këtë gja nganjëherë je papunë, qiraja është të gjith e din se është problem, me nanën është problem se është gjysmë e lëvizshme, është shumë problem. Kështu që kisha pas dëshirë me pas edhe nanën këtu, me përkrahë sa është gjallë, është dëshira jem e vetme”, tha Balidemaj.

Ndër tjerash, Balidemaj tha se periudha pas luftës ishte më e vështirë sesa gjatë luftës, madje ai tha se “mu ka duk kjo luftë më e rëndë, sesa ajo që ishte”.

Emisioni i mëngjesit “Për Ditë të Mbarë” që transmetohet në Radiotelevizionin 21, si çdo  të hënë moderohet edhe nga një person i profesionit tjetër. Sot bashkë me moderatoren e njohur, Myrvete Qerkezi, pjesë e moderimit ishte Dardan Islami, analist. Në pjesën e intervistës, Islami përzgjodhi këtë protagonist mjaft të veçantë, i cili i dha shumë emocion kësaj bisede./21Media

Back to top button