Vazhdojnë ftesat nga Specialja

Vazhdojnë ftesat nga Specialja

Gjykata Speciale e Hagës ftoi për intervistim veteranin Sejdi Berisha, pjesëtar i Brigadës 122, i Zonës Operative të Pashtriut.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Tash u njoftova se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, veterani Sejdi Berisha, nga Kijeva e Malishevës, pjesëtar i Brigadës 122, ZO e Pashtriut.”, shkroi Gucati në facebook.

I ftuari i fundit i Gjykatës Speciale, ishte ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Demush Laçi, i cili u ftua më 12 nëntor.

Ndërkohë, ftesat nga Specialja po vazhdojnë, gjatë këtyre ditëve është bërë e ditur se edhe Rexhep Selimi është ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Elshani, në cilësinë e dëshmitarit.

Gjatë këtij muajit është ftuar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin dhe ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Krasniqi.

Ndërsa, më 7 nëntor Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se e ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale. Ai përmes një konference për media ka treguar se kësaj ftese do t’i përgjigjet me 4 dhjetor.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media