Haxhiu: Privilegjet e pushtetit publik, pushtetarët po i privatizojnë për vete

Haxhiu: Privilegjet e pushtetit publik, pushtetarët po i privatizojnë për vete

Në 11-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar pushtetarët se e kanë shkelur aktin më të lartë juridik dhe asnjëherë nuk kanë dhënë përgjegjësi për këtë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe pushtetarët kanë plane që të gjitha privilegjet që dalin nga pushteti publik t’i privatizojnë për vete.

Haxhiu ka theksuar se Kosova ka nevojë për një Kushtetutë që është shprehje e vullnetit të popullit, por jo për ndryshime të cilat do ta dëmtonin Kosovën dhe qytetarët.

Për 11 vite jemi dëshmitar të së kundërtës, pra e cila qëllimshëm është instaluar në Kosovë nga një kastë pushtetarësh që kanë plan të detajuar se si të gjitha privilegjet që burojnë nga pushteti publik t’i privatizojnë për veten dhe të vetët. Një grup pushtetarësh që janë mbi ligjin dhe janë të paprekshëm dhe në anën tjetër qytetar që shtypen e diskriminohen nga pushteti që duhet të ishte publik dhe për publiken. Askush se ka besuar që 11 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetar e qytetare e Kosovës. Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk po e siguron as barazinë, as drejtësinë shoqërore as ndaljen e diskriminimit, as punën, as pronën publike, as arsimin, as shëndetin, as jetën”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se Kushtetutën e Kosovës pushtetarët e shkelën sa herë deshën dhe asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi për këto shkelje.

Ajo ka thënë se opozita, së bashku me qytetarët, duhet të angazhohen për largim të qeverisjes aktuale.

Përballë qytetarëve të pambrojtur qëndrojnë kasta e pushtetit, ata vunë pasurinë në kurriz të punës së ndershme të qytetarëve tanë dhe të të mirave publike e të përbashkëta. E shkelën ligjin e Kushtetutën sa herë deshën dhe kurdo që deshën, dhe asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi për këto shkelje…Kjo gjendja natyrisht nuk mund të ndryshojë pa angazhimin e përbashkët opozitar dhe qytetar, prandaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi nisur tubimet tona”, ka vijuar Haxhiu.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka thënë se sot Kushtetuta e Kosovës shkelet më së shumti nga ata që konsiderohen si mbrojtësit e saj.

Sipas Bislimit, Qeveria Haradinaj përmes vendimeve dhe skandaleve të përditshme e ka shkelur çdo aspekt të rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka deklaruar se kjo qeveri po krijon pabarazi të madhe në mes qytetarëve duke shkelur nene të shumta të Kushtetutës së Kosovës.

Krejt këto shkelje të Kushtetutës i kemi si sihariq nga kjo klasë politike e cila sa herë që e shkel atë i lanë duart duke u thirrur në parimet e vetë Kushtetutës sonë. Sot Kushtetuta e Kosovës më së shumti shkelet nga ata që ai i definon si mbrojtësit kryesor të saj”, është shprehur Bislimi.

Kujtojmë që 9 prilli shënohet si Dita e Kushtetutës së Kosovës, dokument ky i cili e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.