Ankohen për mosnumërimin ne 4 mijë e 639 të dërgesave postare

Ankohen për mosnumërimin ne 4 mijë e 639 të dërgesave postare

Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) lidhur me mosnumërimin në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR) të 4 mijë 639 të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga mërgata.

“Mbrëmë u numëruan 13 491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP, të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhëroj KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë”, ka njoftuar VV përmes një shkrimi në “Facebook”.

Sipas VV-së arsyetimet procedurale që artificialisht po i mbivendosen vullnetit të lirë të zgjedhësve nga mërgata e cenojnë demokracinë. “Andaj ato fletëvotime duhet të numërohen”, ka porositur VV.

Zëdhenësi i KQZ-së, Valmir Elezi dje kishte deklaruar se këto vota të ardhura me postë nuk janë numëruar pasi që kanë arritur pas afatit ligjor.

Ndryshe, në orët e para të ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar publikimi i rezultateve të votimit përmes postës. 13 mijë e 241 është numri i fletëvotimeve të vlefshme nga votimi përmes postës. LVV ka marrë 7 mijë e 30 vota, LDK 2 mijë e 158 vota, PDK 2 mijë e 139, Nisma-AKR 916 vota dhe AAK-PSD 555 vota./21Media