"Dita erdhi për ndryshim, në këtë ndryshim do ta bëjmë pas datës 6"

“Dita erdhi për ndryshim, në këtë ndryshim do ta bëjmë pas datës 6”

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se më 7 tetor, Kadri Veseli do e kuptojë se si luftohet korrupsioni, ndërsa më 6, në ditën kur edhe mbahen zgjedhjet nacionale, kundërkandidatja Vjosa Osmani do e kuptojë se kujt i beson populli.

Ai në tubimin elektoral me qytetarët e Lipjanit tha se pas zgjedhjeve, bizneseve do t’i hiqet mafia nga qafa, kështu sipas tij, do të fillojnë të marrin frymë lirshëm.

“LVV po hynë në këto zgjedhje më e gatshme se kurrë më parë, sepse ne e kemi programin edhe konceptin e duhur politik, që më së shumti i nevojitet vendit tonë, i kemi njerëz më profesionalë që i ka Kosova, secili ka punuar në fushën e vetë. E kemi vullnetin dhe dijen për transformimin e Kosovës aq shumë të pritur të Kosovës. E kemi guximin për ta çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, për të vendosur fuqishëm rendin. E kemi njeriun më të qëlluar për ta udhëhequr krejt këtë proces, kryeministrin e ardhshëm, birin e pamposhtur të Kosovës, Albin Kurtin. Më 7 tetor Kadri Veseli ka me marr vesh qysh luftohet korrupsioni, bashkë me Ramush Haradinajn. Kurse me 6 tetor Vjosa Osmani do të kuptoj se kujt i beson populli”, deklaroi Konjufca.

Për mërgatën tha se do bëjnë tri gjëra; që në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës të kenë mundësi të votojnë diaspora, mësimi i gjuhës shqipe do financohet nga Qeveria e Kosovës, dhe do hiqet, siç e ka quajtur ai, plaçkitja nga kartoni i gjelbër.

Konjufca ka premtuar se Vetëvendosje do të bëjë sigurimet shëndetësore.

E, kandidati për deputet, Liburn Aliu tha se të keqës në vend i kanë mbetur edhe shumë pak ditë, ngase sipas tij, në Kosovë po ndodhë një lëvizje, sepse qytetarët janë të gjithë në këmbë për të pritur fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dy fjalë pati edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Dita erdhi për ndryshim, në këtë ndryshim do ta bëjmë pas datës 6, kur LVV do të do të dali forca e parë politike. Dhe si forcë e parë do t’i prijmë ndryshimit. Duhet ta keni parasysh një gjë, ne po them erdhi dita, ata po thonë Beso. Përballë e kemi një krim të thellë, i cili ka vendosur rrënjët thellë në këtë vend.  A ju merr mendja juve që beson dikush se Lidhja Demokratike e Kosovës, a e besojnë ata vet që mund ta bëjë ç’kapjen e këtij shteti. Shtetin e ç’kap ai që pret me padurim ballafaqimin e madh dhe për këtë thotë erdhi dita. Pra ne e presim me padurim ditën kur do të punojmë dhe të ballafaqohemi… me datën 6 do të ç’kapet shteti, po me ç’kapjen e shtetit do të ndodhë edhe ç’kapja e LDK-së prej PDK-së”, u shpreh Aliu.

Aliu mes tjerash tha se numri “126”, tregon gjashtëfishimin e tyre si subjekt politik.

Kandidatja për deputete Fitore Pacolli tha se të ardhurat e qytetarëve çdo ditë po janë më të ulëta se sa pagesat që bëjnë në baza ditore. Ajo tha se qytetarët më nuk mund të qëndrojnë të izoluar dhe të varfër si deri më tani.

Berat Reçica, kryetar i degës në Lipjan, njëherësh edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se me datën 6 tetor, ditën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, partitë tjera do të bëhen “horë”.

“Fitorja tashmë ka ardhur dhe ndryshimi do të ndodhë më 7 tetor. Këto tri shtylla janë shteti i së drejtës zhvillimor dhe shteti social. Në vitin 2017 votuam me zemër, e tash na erdhi dita të votojmë edhe me mendje…. sa të ketë popull do të ketë LVV, sa të ketë VV do të ketë shpresë, populli do të ketë shpresë gjithmonë, e më 7 tetor, partitë tjera do të bëhen horë”, tha ai.

Ai tha se kot partitë tjera politike po mbushin autobusët me qytetarë, derisa të njëjtit për 20 vjet me radhë nuk arritën të mbushin barkun e tyre.

Kandidatët për deputetë nga Lipjani janë Berat Reçica, Xhelal Halali.