Vetëvendosje me kallëzim penal ndaj Haxhi Hotit

Reagimi i Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal ndaj aktivistit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, për kërcënimin që ka bërë ndaj liderit Albin Kurti.

Vetëvendosje thotë se gjuha e krimit nuk ka vend në politikë.

Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftimin e VV-së.

Vetëvendosje ka shtuar se nuk e dinë nëse Hoti ishte i porositur ta kërcenoj me vrasje Kurtin, apo është nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes.

Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Këtë fenomen Vetëvendosje thotë se synon ta luftojë.

Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja Vetëvendosje. Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti. I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit. Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës”, përfundon VV./21Media

Back to top button