Vetëvendosje thotë se nuk po numërohen 1700 pako, sqarohet KQZ-ja

Vetëvendosje thotë se nuk po numërohen 1700 pako, sqarohet KQZ-ja

Sot ka nisur numërimi i votave të diasporës të cilat kanë arritur me vonesë. Megjithatë Lëvizje Vetëvendosje ka shprehur shqetësim se sipas tyre nuk po numërohen 1700 pako.

“Sot, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi nuk po i lejon që të gjitha pakot me fletëvotime të trajtohen, por vetëm një pjesë prej tyre duke lënë jashtë procesit të numërimit 1700 pako me fletëvotime. Kjo është shkelje e vendimit të Gjykatës Supreme dhe e të drejtës për të votuar të qytetarëve tanë. Po ashtu është tallje me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët po presin që drejtësia të vihet në vend pa ngurrim e pa mëdyshje.”, ka bërë të ditur Vetëvendosje.

Ky subjekt politik po ashtu ka paralajmëruar se do t’i drejtohen prapë Gjykatës Supreme për t’i kërkuar që të numërohen edhe këto 1700 pako me fletëvotime.

“Por këtë herë jemi të detyruar të kërkojmë përgjegjësi edhe për mosveprim e për anashkalim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme. Madje për zvarritjen prej fillimit të procesit të trajtimit të këtyre pakove.Nëse sonte dhe deri nesër në mëngjes Kryeshefi nuk i lejon stafin e KQZ që të procesojnë sipas vendimit të Gjykatës Supreme edhe ato 1700 pako me zarfe, ne do të procedojmë në gjykatë.”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë  zëdhdënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se bëhet fjalë për 1212 pako të cilat janë refuzuar dhe nuk do të numërohen. Ai në një prononcim për RTV 21 ka sqaruar arsyet pse nuk janë përfshirë këto pako.

“Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme ne kemi proceduar me vlerësimin e 4639 pakove të supozuara me fletëvotime dhe në fund pas këtij procesi të vlerësimit kanë dalë se janë 5882 pako ms fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre pra kur është parë se nëse ato janë dërguar nga persona që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit apo nëse këta që i kanë dërguar këto pako i plotësojnë kriteret e tjera pra kemi arritur në përfundim që  bëhet fjalë për 4670 të cilat i nënshtrohen procesit të numërimit, këtu ndërkaq  1212 janë refuzuar pra nuk janë pjesë e numërimit.”,ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Supreme ankesën për trajtimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga bashkatdhetarët për zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat kanë ardhur në Kosovë me disa ditë vonesë, edhe pse data e dërgimit ishte brenda afateve ligjore. Gjykata Supreme ka vendosur që të numërohen votat e mërgatës. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës u mbajtën më 6 tetor në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2545 vendvotime./21Media