VV  bën thirrje KQZ-së të garantojë numërim të saktë

VV  bën thirrje KQZ-së të garantojë numërim të saktë

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka filluar rinumërimin e më shumë se 50% të votave. Sa i përket kësaj Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se po ndjek nga afër fazën e rinumërimit.

Sipas këtij subjekti politik zyrtarë e gjyqtarë të institucioneve janë ndikuar politikisht në marrjen e vendimeve të fundit me synim ndryshimin në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbledhur fakte e prova të ndërhyrjes politike në marrjen e këtyre vendimeve dhe ne do të sigurohemi që të gjithë këta zyrtarë të përfshirë në këto ndërhyrje për vendime që do të duhej të ishin të bazuara në ligj e Kushtetutë, do të përgjigjen para drejtësisë. Poashtu, insinuatat dhe presionet nga subjekte partiake që qytetarët i kanë lënë jashtë përfaqësimit në Kuvend, në një kohë kur po rinumërohen mbi gjysma e votave të përgjithshme, kanë për synim ndikimin në rinumërim dhe krijimin e faktit të kryer të përfaqësimit në Kuvend.”, thuhet në reagimin e VV-së.

Ndërsa VV i ka bërë thirrje KQZ që të garantojë numërim të saktë dhe siç ka thënë të mos bie pre e presioneve të partive politike.

“Ftojmë KQZ-në që në përputhje me përgjegjësitë që ka, të garantojë numërim të saktë të secilës votë, si dhe mos të bie pre e presioneve të tilla mbi numëruesit dhe stafin përgjegjës. Rezultati zgjedhor dhe vullneti i votuesve nuk mund të ndryshohet as me vendime administrative, e as me presion në opinionin publik nga subjekte të caktuara.”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sot, Nisma Socialdemokrate është ankuar se vëzhguesit e saj kanë vërejtur parregullsi dhe janë duke u përballur me presione nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. “Ne si parti politike, vazhdimisht jemi duke përcjellë këtë zhvillim, dhe gjatë gjithë këtyre ditëve të rinumërimin, vëzhguesit kanë vërejtur shumë parregullsi dhe janë ballafaquar me presione të ndryshime nga anëtarët e LVV-së në KQZ”, thuhet në komunikatën e Nismës. Sipas tyre, anëtarët e VV-së po vendosin edhe cilat nga fletëvotimet janë të vlefshme dhe të pavlefshme./21Media