Rritet Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje

Rritet Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një shkrimi në faqen e tyre në Facebook, kanë bërë të ditur se deputeti i partisë egjiptiane IRDK, Elbert Krasniqi, i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sot kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti si dhe anëtarët e kryesisë Arbërie Nagavci e Xhelal Sveçla janë takuar me delegacionin e Partisë Egjiptiane IRDK kryesuar nga Kryetari z. Elbert Krasniqi me bashkëpunëtorë, Xhevdet Neziraj dhe Fazli Stollaj.

“Në takim u bisedua mbi situatën politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e fundit, në të cilin qytetarët votuan me shumicë për ndryshim duke e bërë VETËVENDOSJE!-n fituese, si subjektin e parë në vend dhe grupin më të madh në legjislaturën e shtatë në Kuvend.”, thuhet në shkrimin e Vetëvendosjes.

Nga ky takim doli edhe iniciativa që të dy subjektet të trajtojnë sfidat me të cilat komuniteti egjiptas ballafaqohet dhe të propozohen masat për qeverinë e ardhshme Kurti, në mënyrë që pozita e këtij komuniteti, por jo vetëm, të përmirësohet sa më shumë dhe më shpejtë./21Media