Hoxhaj: Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm

Hoxhaj: Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se hapja e pikës së re kufitare në Stançiq tregon punën e përbashkët të dyja vendeve Kosovës dhe Maqedonisë në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Ajo këto komente i bëri me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e pikës kufitare Kosovë-Maqedoni, në fshatin Stançiq, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe shefi i delegacionit të BE-së në Shkup.

“Shpresoj se do të vazhdoni të punoni bashkërisht për implementimin e punëve dhe më tej në kooperimin e arritjeve të synimeve për të mirën e qytetarëve të dyja vendeve dhe të gjithë rajonit”, ka thënë Apostolova.

Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori Samuel Zbogar, ka thënë se kjo pikë kufitare do të ndikim pozitiv për zhvillimin ekonomik të banorëve të zonave lokale ndërmjet dy vendeve, por edhe për stabilitetin politik të rajonit të gjerë.

“Sot po lansojmë pikën e re kufitare ndërmjet dy vendeve, projekt ky i cili ka dështuar disa herë në herët e kaluara dhe fakti që ne jemi sot këtu është përkushtim i demonstrimit i dy vendeve fqinje për të zhvilluar marrëdhëniet në të ardhmen. Po ashtu, është demonstrim i durimit edhe të BE-së”, ka thënë ai.

Ai tha se ndërtimi i pikës kufitare në Stançiq do të shtojë edhe sigurinë në kufi dhe zhvillimin e turizmit në këto anë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar se ka pasur vonesa për ndërtimin e kësaj pike kufitare me Maqedoninë, por më në fund ky projekt po realizohet duke zvogëluar dukshëm rrugën që banorët e këtyre zonave bënin në të kaluarën.

“Ka qenë një pritje, një shpresë, ëndërr, të cilët qytetarët e të dyja komunave dhe vendeve e kanë pritur me padurim dhe sot po e shndërrojmë këtë ëndërr në realitet të ri. Falënderoj shumë njerëz, personalitete që kanë dhënë kontribut të madh në jetësimin e këtij projekti, pikës kufitare, por dua të them një vlerësim personal. Është një temë që më ka përcjell nga viti 2011, nuk ka pasur takim me delegacionet e Maqedonisë që nuk kanë pasur temë të bisedës sonë që të jetësohet ky projekt, sidomos nga viti 2013, kur e kemi nënshkruar marrëveshjen për hapjen e kësaj pike kufitare ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Hoxhaj.

Ai me këtë rast ka porositur se kufijtë e shtetit të Kosovës janë të paprekshëm dhe të pacenueshëm. “Hartat politike në Ballkan dhe kufijtë historikisht në këto dy-tre mijë vitet e fundit janë bërë dhe ribërë, por ne kemi qëndruar këtu si popull dhe kufijtë e sotëm të Republikës së Kosovës janë të paprekshëm, të pandryshuar dhe të pacenuar”, ka thënë Hoxhaj.

Edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, tha se ndërtimi kësaj pike kufitare ka dimension të rëndësishëm në raportet ndërmjet dy shteteve, projektet e të cilave vetëm se po zgjerohen dhe një komunikim pa barriera ndërmjet shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit.

“Ky projekt ka një domethënie krejtësisht tjetër për popullatën lokale të Likovës në Maqedoni, si dhe të Gjilanit në Kosovë, por në përgjithësi ka një domethënie të rëndësishme për tërë popullatën e kësaj ane. Ky vendkalim do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të këtyre komunave dhe komunave fqinje, gjë që është parakusht për rritjen e shkëmbimit ekonomiko-tregtar mes këtyre zonave, potencial i fuqishëm për të bërë biznes e për të siguruar mirëqenie dhe prosperitet ekonomik”, tha ai.

Ndryshe, kjo është pika e tretë e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, por ajo e cila dallon këtë pikë është se ndërtohet në konceptin e menaxhuar të kufirit, me një pikë të përbashkët kufitare, e cila hyn në kategorinë e pikës A që nënkupton edhe për mallra dhe udhëtarë.

Faza e parë përfshin udhëtarët dhe automjetet dhe në të ardhmen e afërt do të ketë mundësi edhe për transportin e mallrave.