Ndërtimi i shtëpive po fillon në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20-vjetorin e çlirimit të Podujevës

Ndërtimi i shtëpive po fillon në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20-vjetorin e çlirimit të Podujevës

Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu sot ka vendosur gurthemelin për për ndërtimin e 20 shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të kësaj komune.

Kryetari Veliu me këtë rast tha se ndjehet i lumtur që ndërtimi i këtyre shtëpive po fillon në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20-vjetorin e çlirimit të Podujevës. “Projekti i ndërtimit të shtëpive në këtë lagje do të vazhdojë derisa ta largojmë edhe familjen e fundit, të vendosura në objektet montazh të banimit”, tha ai.

Pas ndërtimit të gjitha shtëpive, Veliu tha se në këtë lagje do të rregullohet e tërë infrastruktura rrugore dhe ndriçimi publik.

Ndërtimi i shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve është projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Podujevës.

Në kuadër të këtij projekti deri tash janë ndërtuar 70 shtëpi për familjet, të cilat nga përfundimi i luftës jetonin në objektet montazh të kësaj lagjeje./21Media