Arrestohen 10 persona për kontrabandim me migrantë

Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona për kontrabandim me migrantë.
Shtatë prej të dyshuarve janë shtetas të huaj, ndërsa tre prej të dyshuarve janë shtetas kosovar.
“Pas hetimeve intensive duke aplikuar edhe masat e veçanta të hetimit, gjatë operacionit policor të kryer me mjaft efikasitet nga hetuesit policor, të dyshuarit dhe viktimat janë lokalizuar në disa automjete në lëvizje, si dhe gjatë kontrollit në një hotel, ku përveç arrestimit të dyshuarve të lartcekur janë identifikuar edhe njëqind e pesëdhjetë e tre (153) shtetas të huaj viktima të kontrabandimit, të cilët janë trajtuar sipas procedurave të parapara me ligjin për të huaj nga drejtoria për migrim dhe të huaj e PK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë operacionit policor tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: 1 revole, 13 fishekë të kalibrit 7.65mm, 1 fishekë i kalibrit 7.62mm, 2 mijë e 110 euro, 942 dollarë, 100 franga, 7 mijë e 800 lekë të Shqipërisë, 1 mijë dinarë të Serbisë, 1 pasaportë e Bangladeshit, 1 pasaportë e Egjiptit, 2 laptopë, 5 telefona të mençur, 1 usb, 1 unazë ari, 2 unaza të argjendit, 1 orë rolex, 3 automjete./21Media

Back to top button