Haxhiu: Albinit dhe Donikes gjyqtari i klanit Pronto ia paska vazhduar edhe per 1 muaj paraburgimin!

Haxhiu: Albinit dhe Donikes gjyqtari i klanit Pronto ia paska vazhduar edhe per 1 muaj paraburgimin!

Gjykata ka vendosur që Albin Kurti dhe Donika Kadaj – Bujupit tu zgjatet paraburgimi deri më datën 27 janar 2017, të cilët akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pas vendimit, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në faqen zyrtare të Facebook, me anë të një postimi, shkruan rtv21.tv

“Gjyqtari Kalludra është kthyer tashmë në personin kyç të sistemit të kapur të drejtësisë që regjimi në Kosovë ka vendosur në përndjekje të aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky vendim i radhës i gjyqtarit Kalludra sërish është jo vetëm i pabazë por edhe i ngritur mbi mashtrimin. Në vendimin e djeshëm për ta zgjatur afatin e paraburgimit për dy deputetët, Gjyqtari Kalludra ka mashtruar duke thënë se Albin Kurti dhe Donika Kadaj “nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre” dhe se “të njëjtit janë fshehur” për t’iu shmangur organeve. I kujtojmë Gjyqatarit Kalludra dhe mbarë opinionit publik se dy deputetët jo vetëm janë gjetur në shtëpitë e tyre në vizitat që policia ka bërë në vendbanimet e dy deputetëve, por për më tepër edhe janë arrestuar duke ushtruar detyrën e tyre si përfaqësues të popullit. Përkatësisht, Albin Kurti është arrestuar nga Policia e Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës duke vajtur për të marrë pjesë në seancë pleanare”, thuhet në faqen e Vetëvendosjes.

Kjo Lëvizje ka bërë thirrje që të lirohen dy deputetët e saj dhe të ndalet siç thonë ata, persekutimi politik.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të deputetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj nga paraburgimi, dhe kërkon ndaljen e këtij persekutimi politik që regjimi në Kosovë vazhdon të ushtrojë ndaj deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet tutje në shkrimin e VV-së.

Po ashtu, ka reaguar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu me anë të një shkrimi në Facebook: Albinit dhe Donikes gjyqtari i klanit Pronto ia paska vazhduar edhe per 1 muaj paraburgimin!./21Media