Llapashtica: Jemi popull që kujdesen shumë për veten

Llapashtica: Jemi popull që kujdesen shumë për veten

Kreatorja kosovare Vjollca Llapashtica u shpreh se qytetarët e Kosovës janë ndër popujt në Evropë që më së shumti kujdesen për pamjen e jashtme.
“Mendoj se na si popull shumë i rrina gati vetes, që mua më pëlqen, rininë e kena që e dojnë pamjen e jashtme dhe mirren shumë me ata dhe si popull në Evropë jemi ndër ata që më së shumti kujdesemi. E vetmja gjë që është në mungesë që mendoj krijohet gradualisht pas një kohë si popull në botën e modës nuk e kemi ende një identitet të caktuar që na merr kohë natyrisht se nuk mujna mu shty me Londër, e Paris”, tha Llapashtica.

Ajo shtoi se pavarësisht paraqitjeve të njerëzve qoftë në ndonjë dalje gjatë ditës, mbrëmjes apo për ndonjë rast më të veçantë femrat kosovare i kushtojnë shumë rëndësi dukjes së tyre.
Kreatorja Llapashtica foli edhe për karakteristikat kryesore për këtë verë janë detajet e kraharorit, motivet me lule dhe printet e vijave të çadrave të plazhit.

Ndërsa sa i takon ngjyrave ato që janë rikthyer fuqishëm në sezonin e verës janë të gjitha nuancat e ngjyrës së verdhë.
“Këtë sezon janë disa elemente,elementi si detaj është kraharori , detaje të kraharorit, fokusimi është tek kraharori , ngjyra është e verdha, është nuanca e ndryshme e të verdhës, është edhe një tjetër që përfshinë një pjesë të trendeve që po quhet çadra e pllazhes do me thënë i keni parasysh ato vijat qysh duken zakonisht çadrat e pllazhes ndërsa mundem me thanë që trendi kryesor apo fokusimi kryesor është një pjesë që quhet kopshti, ku çdo pamje apo çdo karakter apo çdo prezantim i koleksionit ka me qenë prezent edhe lulja”,tregoi Llapashtica në një intervistë për kp

Sipas saj ndër ngjyrat që ofrojnë freski gjatë ditëve të nxehta të verës janë e bardha dhe e qumështit të cilat asnjëherë nuk dalin jashtë mode.
Llapashtica po ashtu tha se interesimi më i madh këtë sezon në atelienë e saj është për fustane solemn pasi që është edhe sezoni i dasmave dhe ahengjeve, dhe tek ajo një fustan mund të blihet duke filluar nga 150 euro e më lart, pavarësisht asaj çka kërkohet nga klientët.

Ajo tregoi se si pasoj e kërkesave të tregut asaj i është imponuar që më shumë të krijojë veshje solemne se sa të përditshme.
“Kjo është një element që mu ka imponuar prej tregut është që mu merr ma shumë me qeto festat tona do me thanë, dasma, kanagjeqe, ditë të grave çka janë këto fejesa kjo është pak imponim i tregut përndryshe prodhoj edhe të përditshme por sasia është më e vogël për shkak të tregut”, tha Llapashtica.

Vjollca Llapashtica për të gjitha femrat ka rekomanduar që sa më shumë të jenë vetvetja, të krijojnë një stil të tyrin që i përfaqëson ato dhe mos të jenë të ndikuara nga yjet e Holliwood-it./21Media