Osmani thotë se do të punojë për vendin pavarësisht se në cilin post ndodhet

Osmani thotë se do të punojë për vendin pavarësisht se në cilin post ndodhet

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja , Vjosa Osmani tha sot se alternativa e vetme për qeverisje është koalicioni LDK- VV.

Ajo po ashtu u shpreh se do të jap kontributin e saj pa marrë parasysh se  ku do të jetë, duke lënë të nënkuptohet se ajo mund të heq dorë nga posti i kryeministres.

“Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës. Unë do të punoj për vendin tim pavarësisht se ku jam. Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Të dashur qytetarë të vendit tim,Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që…

Gepostet von Vjosa R. Osmani am Mittwoch, 9. Oktober 2019

LDK ka dalur e dyta me 24,83% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur me 6 tetor. Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet me 25,49% sipas rezultateve preliminare.

Të dy partitë janë shprehur të gatshme për të bashkëpunuar në qeverisjen e ardhshme mirëpo ende nuk është marrë një vendim i tillë.

Liderët e dy partive Albin Kurti- VV dhe Isa Mustafa- LDK, kanë paralajmëruar një takim gjatë këtyre ditëve për të biseduar rreth një koalicioni të mundshëm.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë provuar të formonin edhe koalicion parazgjedhor, mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë për shkak se nuk ishin dakotduar për postin e kryeministrit.

Dy partitë kanë vendosur të garojnë të vetme, ndërkohë Osmani në “DebatPernime” në RTV 21, gjatë fushatës zgjedhore është shprehur pro një koalicioni pas- zgjedhor me VV-në duke thënë se posti i kryeministrit do t’i takonte partisë e cila do të dilte e para në zgjedhje./21Media