Kryeparlamentarja në dy raste kërkoi të mos flitet në emër të saj

Kryeparlamentarja në dy raste kërkoi të mos flitet në emër të saj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në dy raste sot kërkoi të mos flitet në emër të saj në seancën ku po shqyrtohet mocioni për rrëzimin e qeverisë, i cili është kundërshtuar nga vet Osmani.

Kryeparlamentarja i reagoi ministrit të Financave Besnik Bislimit (LVV) dhe deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj.

Fillmisht, ministri Bislimi iu drejtua deputetëve të LDK-së duke përmendur ish-ministrin e shkarkuar Agim Veliu.

“U munduat që qëndrimet e Agim Veliut t’i arsyetoni me lirinë e shprehjes , do të thotë sa herë që ai del kundër ka liri të shprehjes, por ju kisha lut që të përdorni të njëjtin argument kur po diskutoni për qëndrimet Vjosa Osmanit brenda Kryesisë së LDK-së”, tha ai.

Pas kësaj deklarate, reagoi Osmani.

“Zotëri ministër dhe çdokush tjetër që flet për qëndrimet e Vjosa Osmanit, flet Vjosa Osmani”, tha ajo.

Kurse në rastin e dytë, deputeti Selmanaj tha se edhe Vjosa Osmani “mund t’u hipë ne qafë”, sepse LDK-ja e ka bërë kryeparlamentare.

“LDK është fajore sepse ju ka bërë kryeministër [Kurtit]. Hashim Thaçi i ka krejt fajet se LDK-ja e ka bo president. Vjosa Osmani, mund të na lëshohet në qafë edhe ajo, a din pse? Sepse na e kena bo kryeparlamentare, LDK-ja e ka bo”, tha deputeti.

Kurse, Vjosa Osmani, nënkryetare e LDK-së, i kërkoi të mos flas në emër të saj.

“Edhe juve zotëri deputet ju kasha lut, mos folni mo n’emër tem. Vazhdo maje fjalimin, por le të jetë hera e fundit që dikush tenton me fol në emër tem”, tha ajo./kallxo