Vlera e investimeve të huaja në minus!

Sipas një hulumtimi vetëm katër kompani të huaja kanë investuar në Maqedoni

Për drejtorin e zonave zhvillimore teknologjike-industriale, Viktor Mizo, dalja e kapitalit të huaj nga vendi paraqet vendim i investitorëve. Mizo nuk është i brengosur që një pjesë e raporteve mujore për vlerën e investimeve të huaja është me saldo dukshëm të ulët. Në promovimin e sotëm për investimin e ri të kompanisë “Franc Kill”, ai deklaroi që pas profitit të realizuar, biznesmenët paratë i kthejnë në vendin amë dhe një pjesë e tyre nuk bëjnë investime shtesë në vend. Dalje më të madhe të investimeve të huaja është regjistruar në shtator vitin e kaluar kur investitorët tërhoqën mbi 33 milion euro.

“Në vend dhe ekonomi të vogël siç është Maqedonia, mund të ketë disa kompani të cilat do të kenë ndikim më të madh direkt rreth këtyre të daljeve dhe të hyrave e posaçërisht në nivel mujor. Dalja e parave nuk do të thotë tërheqje e investimit”, u shpreh Viktor Mizo, Drejtor i ZZHTI.

Rrjeti ballkanik i gazetarisë Hulumtuese BIRN para një muaji ka shpallur të dhëna zhgënjyese rreth situatës së investimeve të huaja në Maqedoni. Hulumtimet kanë treguar se qeveria ka paralajmëruar ndërtimin e 138 fabrikave në 10 vitet e fundit. Numri i përgjithshëm i atyre që kanë investuar në periudhën e analizuar nga BIRN është 51, ndërsa 40 janë në fazën e investimit, ndërsa 43 të tjera ende s’kanë filluar. I diskutueshëm është edhe numri i të punësuarve nga investitorët e huaj nga ajo që ka premtuar Qeveria.

“Vetëm katër kompani të huaja që kanë investuar në vend, kanë investuar po aq para sa kanë premtuar apo edhe më shumë. Investitorët e tjerë kanë investuar më pak sesa kanë premtuar apo nuk kanë investuar fare. Nga investimet e paralajmëruara prej 4 miliard euro, janë investuar vetëm 570 milion euro. Nga 61.701 punësime të paralajmëruara, investitorët e huaja kanë punësuar vetëm 20.246 punëtorë”, hulumtimi i BIRN.

Investitorët e huaj investojnë në Maqedoni shkaku i benefiteve që u ofrohen nga shteti. Ato janë të liruara nga pagesa e tatimeve, të ardhurat e punëtorëve i paguan shteti dhe Qeveria ua ndërton infrastrukturën. Pas mbarimit të marrëveshjes për punë të subvencionuar, një pjesë e investitorëve të huaj janë tërhequr nga vendi. Për këto 10 vite edhe pse u kërkua nga Qeveria të tregoj se sa para janë shpenzuar për tërheqjen dhe subvencionimin e investitorëve të huaj, nga Qeveria ende nuk ka përgjigje./21Media

Back to top button