Vlerësohet qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare

Moody’s vlerëson qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare me B1

Gjiganti ndërkombëtar i financave Moody’s konfirmoi vlerësimin B1 me perspektivë të qëndrueshme për borxhin publik të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi regjistroi një ecuri të fortë fiskale në vitin e kaluar.

“Situata e përmirësuar makroekonomike dhe konsolidimi fiskal i qeverisë rezultuan në një ecuri të fortë fiskale për 2016 me deficitin buxhetor që ra në 1.7% e PBB-së”, vlerëson Moody’s.

Agjencia lider në vlerësimet financiare thotë se huamarrja e qeverisë vitin e kaluar ishte më e ulëta në dy dekada. “Paralelisht rritja më e fortë e Prodhimit Kombëtar dhe sufiçiti buxhetor ndihmuan që borxhi publik të bjerë nën 71%, duke përmbysur trendin rritës”, vijon vlerësimi.

Moody’s parashikon se borxhi i Shqipërisë do të vazhdojë të ulet gjatë viteve në vijim falë rritjes më të lartë ekonomike dhe politikës fiskale të qeverisë. “Ne presim që Prodhimi Kombëtar të rritet me 3-4% për periudhën 2017-2018 nga 2% që ka qenë rritja mesatare në 5 vitet e fundit”, thuhet më tej.

Sipas gjigandit ndërkombëtar, vlerësimi i Shqipërisë mund të përmirësohet nëse vendi do të vazhdojë progresin me konsolidimin fiskal, uljen e borxhit dhe forcimin e institucioneve përfshirë gjyqësorin. Por në të njëjtën kohë, vlerësimi mund të përkeqësohet nëse vendi përballet me rritjen e deficitit që mund të rrjedhë nga një krize të mundshme energjetike apo rreziku nga një faturë e lartë potenciale për kompensimin e pronave.

Back to top button