Sipas Haradinajt kandidati Vllahiu unifikon në vete vlera të udhëheqësit, të lidershipit të një mendimtari

Sipas Haradinajt kandidati Vllahiu unifikon në vete vlera të udhëheqësit, të lidershipit të një mendimtari

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Arbër Vllahiut për kryetar të Prishtinës nga radhët e këtij subjekti politik.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se zyrtarizimi i kandidaturës së Vllahiut për kryetar të Prishtinës është i veçantë për faktin se bëhet fjalë për udhëheqjen e kryeqytetit të Kosovës.

“Nominojmë sot zotëri Arbër Vllahiun kandidat për kryetar. Të flas unë për Arbërin, ndoshta është tepër për të gjithë ne, por nga përvoja ime Arbëri unifikon në vete vlera të udhëheqësit, të lidershipit të një mendimtari, të atij që mendon, të atij që mundet ato mendime me i kthyer në plan. Por jo vetëm kaq, të dikujt që di t’i zbatojë vlera që janë edhe intelektuale, të nevojshme, që janë të lavdërueshme për secilin që përfaqëson shoqërinë, që përfaqëson vendin. Unë besoj që çdo qytetar i Prishtinës me Arbërin do të gjente kryetarin e vet”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kandidati nga radhët e AAK-së për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, tha se ndjen përgjegjësi për të kërkuar votën e qytetarëve të Prishtinës.
“Kam pak javë në Aleancën dhe ju sërish më keni nderuar me besimin për të qenë kandidat për kryetar të Prishtinës. Ju po më ofroni ëndrrën e Prishtinës, po më jepni mundësinë dhe njëkohësisht përgjegjësinë për t’u sprovuar me fuqitë e votës dhe besimin e qytetarëve të kryeqytetit. Unë besoj, aq sa kanë besuar edhe shumica e qytetarëve të Kosovës në të ardhmen e vendit me ju kryeministër Haradinaj. Besoj në Kosovën më ndryshe me ju dhe besoj në Prishtinën që do ta bëjmë bashkë më ndryshe, më të afërt me qytetarët”, tha Vllahiu.

Ai ka theksuar se ka ardhur koha që zëri i Prishtinës të ndihet, ndërsa u zotua se besimin e qytetarëve do ta kthejë në forcë për të çuar vendin përpara.
“Ka ardhur tani koha që tani bashkë ta ndryshojmë të tashmen e këtij qyteti, për ta bërë të ardhmen më të mirë, duke ia kthyer dashurinë e vjedhur, duke ia kthyer qytetarit pronësinë mbi qytetin e tij, duke shfrytëzuar mundësitë e humbura e të shpërdoruara e duke e bërë këtë qytet të dinjitetshëm e më të mirë. Ka ardhur koha që qytetin e përbuzur e të nëpërkëmbur të Prishtinës ta kthejmë në këmbët e tij, që qytetarëve të tij t’iu shërbej me përkushtim, sepse vota e tyre vlen. Ka ardhur koha që Prishtina të bëhet kryeqendër me tiparet e saj. Dhe këto slogane të bukura do të bëhen realitet me njerëzit që asnjëherë nuk e kanë thyer besimin e qytetarëve, me njerëzit që kanë guximin të përballen me sfidat më të mëdha, me njerëz që dashurinë për Prishtinën nuk e kthejnë në rrënimin e saj”, ka thënë Vllahiu.

Ndryshe, Arbër Vllahiu ka qenë këshilltar i ish-presidentes Atifete Jahjaga, ndërsa AAK në zgjedhjet e kaluara komunale në Prishtinë dy herë kishte garuar me Besnik Tahirin.