Pas helmimit të zyrtarëve të KQZ-së

Pas helmimit të zyrtarëve të KQZ-së

Mbi 15 mijë e 500 zarfe ku gjenden votat e diasporës sot do të zhvendosen nga Ministria e Infrastrukturës për në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Pas ngjarjes së ditës së djeshme ku u helmuan zyrtarë të KQZ-së, ky institucion në një mbledhje me dyer të mbyllura mori vendim që votat të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar nga diaspora të dërgohen në QNR.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka mbrëmë në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme pas ngjarjeve të sotme.

“Pas ngjarjes së sotme KQZ-ja në një mbledhje të jashtëzakonshme, të mbyllur për arsye të hetimeve, kam marr vendim që votat të cilat janë vlerësuar, pra votat nga diaspora të cilat kanë qenë në hapësirën e cila tashmë është e mbyllur nga njësiti i Policisë Speciale, ka vendos që këto vota, nesër në përcjellje të policisë të transferohen në QNR meqenëse ato nuk janë objekt i hetimit”, ka thënë Daka mbrëmë.

Votat do të transportohen nën kujdesin e Policisë së Kosovës.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se një vendim për zarfet të cilat ende po hetohen do të merret vetëm pas kryerjes së plotë të hetimeve.

Ndryshe, ngjarja që tronditi vendin nga qeveria serbe është përshkruar si e orkestruar./21Media