73 vota pro projektligjit

73 vota pro projektligjit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave. Me 73 vota pro, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Deputetët votuan për harmonizimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Po ashtu Kuvendi votoi pro me 79 vota, amendamentin 5 të propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime.

Para hedhjes në votim të projektligjit, deputët shprehën qëndrimet e tyre.

Deputeti, Adem Mikullovci u shpreh i pa kënaqur me formulimin e ligjit edhe pse deklaroi se ligji duhet të kalojë. Sipas tij, bizneset duhet të obligohen të sponsorizojnë, shkruan rtv21.tv

Ky ligj duhet të kalojë gjithsesi, por është puna tek formulimi që mua nuk po më pëlqen që a duhet me e përmirësua një gjë. Atje thotë u mundësohet, iu lejohet korporatave, kompanive me e sponsorizua projekte sportive e kulturore, jo iu lejohet po duhet me e bë obligative, është e domosdoshme me dhënë 30 përqind për sport dhe për kulturë. Ai ato pare edhe ashtu i jep, edhe ashtu ato para kanë me shkua dhe ato tre milionë, katër milionë tatim që i paguan 30 përqind me qenë obligative, e jo i mundësohet”, tha Mikullovci.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se e mbështesin votimin e projektligjit.

“Grupi Parlamentar i LDK-së përkrah secilin variant. Sigurisht, ne do të parapëlqenim variantin që sponsorizimi të bëhet nga fitimi bruto, por ne do të japim votën tonë për cilëndo variantë që hedhet këtu në votim”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ky ligj do të jetë mundësia e vetme për të nxitur bizneset të investojnë në sport dhe kulturë.

Krasniqi beson se me miratimin e këtij ligji nuk do të mund të bëhen keqpërdorime. Sipas tij, familjarët nuk munden të financojnë dikë të njohur, pasi për t’u miratuar sponzorimi duhet të merret vendimi në bashkëpunim me klubin, federatën e ka raste edhe me komitetin olimpik.

Glauk Konjufca, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në fjalën e tij kërkoi të dijë se përse ministri i Financave, Bedri Hamza nuk është i pranishëm në seancë. Sipas tij, ai duhet ta sqarojë qëndrimin e tij kundër këtij projektligji.

A do të thotë kjo që Qeveria është kundër sportit”, u shpreh Konjufca.

Ai ngriti shqetësimin se frikësohet siç tha ai “që pas 3-4 vjetëve klubet tona nuk do të quhen “KF Prishtina”, por Z-Mobile, Devolli apo ETC, dhe do t’i fitojnë të gjitha ligat e Kosovës”.

Konjufca tha poashtu se miratimi i këtij ligji mundë të sjellë një  disbalanc të madh ndërmjet sportit dhe kulturës.

“Po i krijoni kushtet gjithkush me pas llogari me investua në sport, e jo në kulturë. Kymosbarazim që po e boni mes sportit dhe kulturës po me duket i pa drejt…Duhet me ju ardhur pak turp si e keni thjeshtësua… Ua keni krijua me propagandë idenë sportistëve që ma shumë pare në sport ma mirë… si me Gjykatë Speciale. Mu s’po më pëlqen metoda që po i thjeshtësoni problemet me propagandë. Duhet me këqyr modelin të cilin jeni tu e apliku. Nejse mbasi sportistët po mendojnë që ma mirë, Vetëvendosja do ta votojë, por përgjegjësin për keqpërdorime nuk do ta marrim edhe kur ato ndodhin për shpërlarje të parave ose ikjes së tatimeve. Do të mundohemi t’i rijmë gati e t’i përmirësojmë këto gabime”, përfundoi Konjufca.

Kryetari i Kuvendi, Kadri Veseli reagoi menjëherë pas fjalës së Konjufcës.

“Gabove rëndë, sportistët e dinë çka del pas kësaj, nuk është si Gjykata Speciale”, tha Veseli.

AAK do ta votojë dhe do të mundohet ta përcjell zbatimin e ligjit. Kështu deklaroi deputeti, Blerim Kuçi.

Po ashtu, deputetja Shqipe Pantina tha se edhe Partia Social Demokrate do ta mbështesë amandamentin 5 të propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime./21Media