Sipas Thaçit, vrasja e vëllezërve Bytyçi diskutohet në takime me përfaqësues ndërkombëtarë

Sipas Thaçit, vrasja e vëllezërve Bytyçi diskutohet në takime me përfaqësues ndërkombëtarë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot në takim ka pritur Ilir Bytyçin, vëllain e tre heronjve të Kosovës, Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyçit, pjesëtarë të batalionit “Atlantiku” të vrarë nga forcat serbe.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Presidenti Thaçi në shumë takime me përfaqësues ndërkombëtarë, krahas çështjes së pagjeturve ka ngritur edhe vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi.

“Së fundmi këtë çështje e kemi diskutuar edhe me senatorë dhe kongresistë amerikanë, të cilët kanë bërë një punë të madhe në rritjen e presionit ndaj shtetit serb. Vrasësit e vëllezërve Bytyçi dihen me emër dhe mbiemër dhe janë të pozicionuar në institucionet më të larta të shtetit serb”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, Ilir Bytyçi në emër të familjes e ka falënderuar presidentin Thaçi për angazhimin e tij për këtë çështje. Ai ka theksuar se ngritja e kësaj çështje nga institucionet e Kosovës do të rrisë presionin mbi Serbinë për të ndriçuar këtë dhe rastet e tjera të luftës në Kosovë.

Vëllezërit Bytyçi ishin arrestuar në Serbi për kalim ilegal të kufirit në vitin 1999 dhe pas lirimit ishin ekzekutuar atje. Kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në vitin 2001 në një varr të pashënuar ndanë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Selo, afër qytezës Kladovo. Ata u gjetën mbi një varrezë masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Për tre dëshmorët e familjes Bytyçi, vëllezërit Ylli, Agroni e Mehmeti, presidenti Hashim Thaçi më 26 shtator 2018 ka dhënë urdhrin “Hero i Kosovës”. Ndërkaq me medaljen e dhjetëvjetorit të pavarësisë ka nderuar batalionin “Atlantiku”./21Media