Vrasja e Ivanoviqit, nesër vendoset rreth paraburgimit të të dyshuarve

Tre të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, kanë dalur sot përsëri para Gjykatës në Prishtinë, ku është shqyrtuar kërkesa për masën e paraburgimit

Kjo seancë u mbajt me dyer të mbyllura për mediat. Kurse pas përfundimit të kësaj seance, avokati Dejan Vasiq tha se kërkesa për paraburgimin e këtyre personave të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është turp.

“Edhe në seancën e kaluar kur prokuroria kërkoi paraburgim, unë kam thënë se një kërkesë e tillë është turp. Ajo që mund të përsëris sot sipas Prokurorisë Speciale, paraqet një trup të vërtetë juridik. Ata nuk e kanë plotësuar kërkesën e tyre dhe nuk janë sjellë sipas urdhrit që e ka dhënë Gjykata e Apelit. Prokurori special gjatë seancës plotësoi kërkesën me fjalë, por mbeti sipas të vjetrës për të cilin Gjykata e Apelit tha se nuk është ligjërisht i obligueshëm. Neve vendimi do të na bëhet e ditur gojarisht, ndërsa vendimin mendoj se do ta marrim nesër”, ka thënë Vasiq.

Ai ka kërkuar lirimin e të dyshuarve.

“Presim të lirohen dhe të shkojnë në shtëpi. Të lirohen dhe t’iu mundësohet mbrojtja në liri. Gjykata e Apelit e Kosovës ka thënë se nuk ekziston baza e dyshuar”, ka vazhduar ai.

Ai ka thënë se Prokuroria nuk ka kurrfarë provash ndaj të dyshuarve dhe se janë dëgjuar 40 dëshmitarë, për të cilët pala mbrojtëse nuk është në dijeni se cilët janë ata.

Ndërsa, avokati Miro Deleviq  tha se në seancën e sotme nuk kishte asnjë fakt të ri, madje sipas tij, nuk ka fakte që të dyshuarit të mbeten në paraburgim.

“Pohimet tona që kemi bërë në ankesë, më së miri e vërteton Gjykata e Apelit, e cila ka pranuar ankesën tonë në tërësi. Por është e paqartë se si të dyshuarit vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim nëse vendimi për paraburgim është ndërprerë, tash kemi dëgjuar se termini është anuluar. Vazhdon konfuziteti të cilin nuk mund ta zgjidhim në aspektin juridik”, ka thënë ai.

Me një gjë të tillë është pajtuar edhe avokati Negovan Saranoviq. Sipas tij, prokurori special nuk ka asnjë fakt ndaj të dyshuarve, në mënyrë që ata të vazhdojnë të mbeten në paraburgim.

Muajin e kaluar, ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, mirëpo Gjykata e Apelit duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve ka kërkuar që Themelorja ta rishqyrtojë edhe një herë kërkesën e Prokurorisë.

Po ashtu,  Policia e Kosovës në një aksion në veri të Mitrovicës kishte arrestuar tre persona nën dyshimet se janë të përfshirë në vrasjen e ish politikanit serb në Kosovë, vrasje e cila kishte ndodhur në janar të këtij viti në Mitrovicën e Veriut.

Back to top button