Vuçiq: Natyrisht që Amerika është në anën e Kosovës

Vuçiq: Natyrisht që Amerika është në anën e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do ta ftojë përsëri presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të vizitojë Serbinë,  si dhe do të flasë për Kosovën me disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Trumpit. Ai tha se do të kërkojë mbështetjen për një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës.

Këto komente Vuçiq i bëri kur u pyet për festimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, dhe deklaratën e bërë nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer, se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Kosovës.

“Natyrisht që Amerika është në anën e Kosovës dhe do ta mbrojë atë. Këtë e bëjnë edhe Gjermania dhe vendet e tjera të Kuint-it, dhe për ne problemi është më i madh dhe më i vështirë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se ky është një problem kyç për Serbinë, por se vendi do të vazhdojë të luftojë për interesat kombëtare.

Vuçiq tha se “qëllimi ynë është që Serbia të mos ketë armiq, dhe se me ata që dikur ishim, përpiqemi të kemi marrëdhënie normale dhe të balancuara”.