Vuçiq komentoi deklaratën e Veselit se Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës

Sipas Vuçiqit, Putini e ka thënë të kundërtën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka komentuar vizitën e djeshme të presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi, duke thënë se është diçka pozitive. Veseli më tej ka thënë se Rusia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Lidhur me këtë deklaratë të Veselit ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Putini e ka thënë të kundërtën. Në një konferencë për media sot, me rastin e vizitës së djeshme të presidentit rus, Vladimir Putin, iu përgjigj gazetarëve lidhur me qëndrimin e Veselit, “nëse Kadri Veseli ka thënë ashtu, ashtu duhet të jetë”, shkruan B92.

“Unë nuk e dëgjova këtë nga Putini, ai e tha të kundërtën. Putin ka treguar 5-6 herë se çka mendon për Kosovën. E përgëzoj Kadri Veselin, ai ka dëgjuar diçka që askush se ka thënë dhe kjo kërkon aftësi të jashtëzakonshme”, ka konkluduar Vuçiq, transmeton rtv21.tv.

Presidenti rus, Vladimir Putin vizitoi dje Serbinë. Gjatë kësaj vizite, Putin dhe Vuçiq diskutuan zgjidhjen e krizës së Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet rajonale. Putin gjatë vizitës së tij në Beograd ka deklaruar se qëndrimi i rus për Kosovën është i njohur. “Ne angazhohemi për zgjidhje në përputhje me rezolutën 1244”, ka thënë Putin duke shtuar se vendosja e taksës dhe formimi i ushtrisë së Kosovës kanë nxitur tensione serioze./21Media

Back to top button