Pse Kosova nuk është pjesë e Mini- Shengenit, përgjigjet Vuçiqi

Pse Kosova nuk është pjesë e Mini- Shengenit, përgjigjet Vuçiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një intervistë për të përditshmen gjermane, “Der Siepgel” ka thënë se Mini- Shengeni ishte ide e tij.

“Ideja ime për një zonë mini-Shengen në Ballkan, domethënë: lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve, kontribuon në këtë. Ne forcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik. Ne i japim fund kushteve që kamionët tanë të jenë në çdo kufi për 90 orë. Banka Botërore vlerëson kursimet e shoqëruara në 3.5 miliardë euro në rajon.”, ka deklaruar Vuçiq, përcjell portali rtv21.tv.

Ai tutje mini-shengenin e ka cilësuar si një prej projekteve më të mira.

“Projekti Mini-Shengen është ndër më të mirët që ka ndodhur në këtë zonë për 30 vjet. Asnjë luftë, jo më masakër, përkundrazi një lloj Skandinavie për të varfërit. Ne mund të bëhemi një makinë rritjeje për Evropën.”, ka deklaruar Vuçiq.

Ndërsa sa i përket Kosovës, se a duhet të jetë pjesë e këtij projekti, Vuçiq ka thënë se kosovarët nuk e dinë çka duan, por nuk e ka përjashtuar mundësinë për të bërë biznes.

“Kosovarët nuk dinë çfarë duan. Kreu i ri i supozuar i qeverisë Albin Kurti tingëllon sikur të dëshironte të bëhej drejtuesi i Shqipërisë së Madhe. Kosova e kupton veten si shtet, ne nuk e shohim atë në atë mënyrë. Por ne mund të bënim biznes të shkëlqyeshëm së bashku.”, ka thënë Vuçiq

Më 10 tetor kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ranë dakort gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. Derisa Kosova nuk ishte pjesë e këtij takimi.

Ndërkaq po të njëjtit  kishin zhvilluar një takim informal me 10 nëntor në Ohër. Ky takim kishte zgjatur 120 minuta dhe është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, si dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve në Ballkan. Edhe në këtë takim Kosova nuk mori pjesë. Në arsyetimin e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi kishte thënë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur./21Media