Vuçiq u takua me zyrtarin e lartë amerikan Wes Mitchell

Vuçiq u takua me zyrtarin e lartë amerikan Wes Mitchell

Ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan, Wes Mitchell, në ditën e dytë të qëndrimit në Serbi, ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Mitchell tha se është biseduar për Kosovën, për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal dhe se porosia kryesore është se SHBA është e interesuar për një raport partneriteti me Serbinë.

Në konferencën për media, Mitchell tha se SHBA mbështet dialogun Kosovë-Serbi të cilin e udhëheq Bashkimi Evropian dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’i përmbushin obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme të bisedojë për një kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas tij, Serbia është po ashtu e gatshme të pranojnë çdo marrëveshje kompromisi, por “poshtërimin e popullit dhe rrënimin e shtetit nuk mund ta pranojë”, raporton FoNet.

“Çdo kompromis është i rëndë, por këtë duhet ta pranojë edhe pala e dytë edhe e tretë”, tha Vuçiq në konferencën për media pas takimit me zyrtarin amerikan, dhe shtoi se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet e dala nga marrëveshja e Brukselit por se, sipas tij, Kosova nuk po u përmbahet marrëveshjeve dhe, “sipas të gjitha gjasave, as nuk do t’u përmbahet”.

Kujtjmë se ndihmëssekretari e shtetit amerikan, Wes Mitchell para dy ditësh ishte edhe në Kosovë.