Skandali i zarfeve me vota të ardhura nga Serbia

Skandali i zarfeve me vota të ardhura nga Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot i ka shkruar letër zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq për t’i kërkuar sqarime lidhur me rastin e helmimit të zyrtarëve në Kosovë nga kutitë me vota të ardhura nga Serbia.

Ai përmes një letre të publikuar në Twitter ka lutur Kocijançiq-in që t’i tregojë nëse serbët i kanë helmuar shqiptarët dhe nëse sipas tij, kjo nuk është e vërtetë që ajo të tregojë se kush ka sajuar një gënjeshtër të tillë.

“Jam i sigurt pas disa ditësh të përcjelljes së aferës së ‘helmimit’ në Prishtinë se keni konkludim rreth asaj që saktësisht ka ndodhur. Andaj, ju lus që opinionit të gjerë t’i thoni nëse ne serbët i kemi helmuar shqiptarët me antraks, navichok, apo ndonjë tjetër helm të rëndë. Nëse rastësisht kjo nuk është e vërtetë, ju lus që publikisht të tregoni se kush kanë qenë mashtruesit që kanë sajuar një gënjeshtër të tillë”, shkruhet në letrën e Vuçiqit të publikuar në gjuhën serbe dhe angleze në Twitter.

Prokuroria e Kosovës dje ka deklaruar se po i vazhdon hetimet në lidhje me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, pas raportimeve që më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve. Prej tyre, 12 kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë hospitalizuar.

Të dielën, më 13 tetor, duke hapur dhe verifikuar votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura fillimisht kanë qenë 20 zyrtarë të KQZ-së që janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 kanë përfunduar të shtrirë në spital.