Vushtrria ndan 3 mijë euro për viktimat e Shqipërisë

Vushtrria solidarizohet me Shqipërinë

Përveç qytetarëve të Kosovës që i’u kanë dalë në ndihmë viktimave në Shqipëri edhe disa komuna kanë ndarë fonde për t’u solidarizuar me ta.

Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 3 mijë euro për viktimat në Shqipëri. Kjo e ka bërë të ditur asistenti i kryetarit të Komunës së Vushtrris, Shkëlzen Xhaferi për rtv21.tv.

Përveç Vushtrrisë, edhe Komuna e Prishtinës ka ndarë 50 mijë euro. Ndërsa Mitrovica ka njoftuar se ka ndarë 20 mijë euro për ta ndihmuar Shqipërinë. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se vendimi është marrë me qëllim që sado pak t’u dilet në ndihmë këtyre banorëve, të cilët janë përballur dje me lëkundje të forta tërmeti.

Ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit në ditën e djeshme, Shqipërinë e goditi tërmeti me magnitudë 6.3 shkallë të rihterit me epiqendër në Tiranë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Italia. Raportohen se deri tani kanë mbetur të vdekur 29 persona në Shqipëri nga ky tërmet./21Media

 

 

Back to top button