Qendra Rinore mban emrin ‘’Naxhije dhe Fahri Buçinca’’

Qendra Rinore mban emrin ‘’Naxhije dhe Fahri Buçinca’’

Naxhije & Fahri Buçinca njihen si çifti që pjesën më të madhe të jetës së tyre ia kushtuan emancipimit dhe shkollimit të gruas shqiptare. Madje edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar ishte i shtypur nga pushtuesit serb, ata u fokusuan në gjetjen e vajzave që nuk lejoheshin nga kryefamiljarët të shkonin në shkollë.

Për të nderuar kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe në emancipimin e gruas, komuna e Vushtrrisë, Qendrës Rinore të Qytetit ia dha emrin “Naxhije e Fahri Buçinca”, çifti që dha aq shumë nga vetja për qytetarët e kësaj komune.

Në prani të zyrtarëve të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, bashkëqytetarëve, kolegëve, njerëzve të artit e të pendës, por edhe të familjarëve, erdhi edhe momenti i zbulimit të pllakës me emrat e dy kolosëve te kësaj komuneje. Ishte kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, ai i cili bashkë me nipërit  e çiftit Bucinca, reperin Ledri Vula dhe Ermal Buçincën zbuluan pllakën me emrat me të cilët prej sot njihet kjo Qendër Rinore e qytetit te Vushtrrisë, “Naxhije e Fahri Buçinca”.

Kryetari Tahiri tha se kjo ishte veç një shenje e vogël e qytetit të çiftit Bucinca për gjithë kontributin e tyre ndër vite.

Veteranja e arsimit, Naxhije Buçinca, falënderoi kryetarin që sipas saj nuk harron gjeneratat e vjetra që kontribuan sado pak në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit.

Veterani i arsimit, Fahri Buçinca falënderoi komunën e Vushtrrisë për nderin që iu bënë me emërimin e kësaj qendre në emrin e tyre, por veç tjerash falënderoi edhe donatorët vendor, të cilët ndër vite mbështetën iniciativën e tyre për shkollimin e vajzave.

Pas zbulimit të pllakës filloi edhe ceremonia hapëse, ku historian Izet Miftari tha se ndër arsyet e emërimit të qendrës rinore me emrin e çiftit Buçinca, ishte se çifti në fjalë njihen si personalitete vushtriase që dhanë kontribut të rëndësishëm kombëtar dhe jo vetëm në arsimim.

Zonja Buçinca me emocion kujtoi momentin kur babai i saj si atdhetar i shquar, para se të ekzekutohej kishte lënë një amanet.

Nënkryetari i komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi tha se kjo ishte më e pakta dhe se është nder që kjo qendër kulturore do ta mbajë emrin e çiftit Buçinca.

Mirënjohës për kontributin e pa shoq të çiftit Buçinca në shkollimin e vajzave të kësaj komune, por në përgjithësi edhe për kontributin kombëtar të tyre ishte edhe kryesuesi i kuvendit të Vushtrrisë, Nasuf Aliu.

Edhe krijuesit e rinj letrar përgatitën poezi dhe jo vetëm. Njëri ndër krijuesit i emocionuar tregoi se motra e tij ishte në mesin e femrave të shkolluara nga këta dy veteranë të arsimit. Për fund për të pranishmit ishin nxënësit e qytetit që sollën një program me disa pika muzikore, interpretuar LIVE.

Rrugëtimin e përbashkët në shkollim të gruas, çifti Buçinca në maj të 2015 e ka avancuar duke krijuar fondacionin “Çifti Buçinca”, përmes së cilit akoma shkollohen gra. Veç tjerash veterani i arsimit, Fahri Buçinca njihet si njeri që ka ndihmuar shumë në zhvillimin e sportit, sidomos për qytetin e Vushtrrisë./21Media