VV: Albin Kurti më i përshtatshmi për kryeministër, pas tij Veseli dhe Haradinaj

Sipas Bislimit, nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme, lideri më i përshtatshëm për qytetarët do të ishte Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar një anketë të realizuar në muajin dhjetor, sipas së cilës kryeministri më i përshtatshëm për qytetarët do të ishte Albin Kurti. Ndërkaq, LVV është rënditur partia e dytë si më e votuar.

Nënkryetari i VV-së, Bislim Bislimi në një konferencë për media tha se partitë në koalicion janë duke ua marrë votat PDK-së. Ai duke iu referuar një ankete të kontraktuar nga VV dhe të realizuar nga UBO Cosulting, tha se nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme, lideri më i përshtatshëm për qytetarët do të ishte Albin Kurti.

Bislimi grupin negociator e ka quajtur si grup të korrupsionit.

“Që nga marsi prin Albin Kurti në vazhdimësi, që tregon se ka mbështetje të simpatizantëve të subjekteve tjera politike, i udhëhequr pastaj nga Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa.  Ndërkaq këtu kemi Shpend Ahmetin, Fatmir Limajn  dhe Behxhet Pacollin. Këta janë personat të cilët kanë marrë në dorë udhëheqjen e negociatave me Serbinë, mirëpo sa kanë mbështetjen e qytetarëve personat të cilët kanë marrë në dorë fatin e vendit dhe e quajnë vetën grup i unitetit. Në fakt ky kishte me qenë grupi i sfidës për kalimin e pragut zgjedhor, ose nëse ka ndonjë unitet këtu, flitet vetëm për korrupsionin”, tha Bislimi.

Sipas tij, LVV është subjekti i parë që ka përkrahjen e njëjtë në gjithë Kosovën, ku siç tha ai përkrahja është e njëjtë si në zona rurale, ashtu edhe në urbane. Sipas Bislimit, PDK ka përkrahje më të madhe në zona rurale se sa në ato urbane.

Kjo anketë ka përfshirë 1070 të anketuar mbi moshën 18 vjeçare, ku të njëjtit kanë renditur VV’në si partinë më favorite në vend.

Sipas Bislimit, nga kjo anketë kanë parë ulje të përqindjes së përkrahjes së PDK, 18% vetëm gjatë një viti. Ai shtoi se PDK-në janë duke e “grryer” subjektet të cilat është  në koalicion.

Sipas Bislimit, në këtë anketë qytetarët janë shprehur të pakënaqur nga kjo qeverisje për tri arsye: në zhvillimin ekonomik, në luftimin e korrupsionit dhe në politikën e jashtme.

Po ashtu, u përmendën edhe problemet më të mëdha, me të cilat sipas VV-së,  po përballen qytetarët si çmimet e larta të faturave të rrymës, paga mesatare e ulët, çmimi i lartë i derivateve, mungesa e vendeve të punës, sigurimi i barnave etj.

I pyetur nga gazetarët rreth vrasjes së policit në Istog dhe shumë plaçkitjeve që janë bërë ditëve të fundit, në  të cilat thuhet se janë të përfshirë anëtarë të VV-së, ai tha se në Facebook mund të komentoi çfarë të dojë secili prej nesh dhe kjo është e drejta e gjithësecilit. Madje, ai tha se është keq që vrasja e policit në Istog ka marrë këtë dimension.

Back to top button