Mimoza Kusari-Lila i është bashkuar listës së kandidatëve të VV-së

Mimoza Kusari-Lila i është bashkuar listës së kandidatëve të VV-së

Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sonte në KQZ listën e kandidatëve të kësaj partie për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se presin një fushatë të qetë.

“Ne i përmbushëm procedurat administrative, presim mbarëvajtjen, me një fushatë të qetë natyrisht edhe të qytetëruar dhe pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve me zgjedhjet e 6 tetorit”, tha ai.

Ai konfirmoi se Mimoza Kusari-Lila i është bashkuar listës së kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk kam informacione për këtë procesin e para përfshirjes. Atë që mund të them është se Mimoza Kusari-Lila është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga VV për zgjedhjet e 6 tetorit”, tha ai.

Sa i përket Xhavit Drenorit, i cili mes tjerash e ka quajtur mashtrues kryetarin e kësaj partie, ai tha se “ajo që mund të them është se z. Drenori është tërhequr nga gara”.

Rrustemi tha se lista e kandidatëve për deputetë nga VV, nuk ka të bëjë me persona me aktakuza. Sipas tij, kjo parti është e përkushtuar për denoncimin e korrupsionit dhe krimit. Sipas Rrustemit, VV si subjekt politik e ka tejkaluar kuotën gjinore.