Hoti tregon se a do të jetë sërish ministër i Financave

Hoti tregon se a do të jetë sërish ministër i Financave

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk janë dakorduar në tërësi për programin ekonomik në qeverisjen e ardhshme, pasi për dy premtimet e dhëna nga VV në fushatën zgjedhore, Fondin Sovran dhe për projektet energjetike, ende nuk është arrit dakordimi me LDK-në, edhe pse ka pasur diskutime maratonike. Kështu ka deklaruar ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Përafrim të marrëveshjes deri më tani, sipas udhëheqësit të Grupit punues nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka për politika të punësimit, për konkurrencë të lirë në treg, për projekte infrastrukturore dhe për çështje ambientale, teksa shtoi se janë dakorduar edhe për strukturën e qeverisë dhe strukturën e institucioneve se si do të riorganizohen në qeverinë e re.

Ish-ministri i Financave, i cili pret të ketë qeveri të re në nëntor, duke treguar se buxhetin e vitit 2020, do ta harton dhe procedon Qeveria e ardhshme, tregoi se a do të jetë sërish ministër i Financave në Qeverinë ardhshme.

Anëtari i kryesisë së LDK-së në një intervistë për kp, teksa foli për presionin e diplomatëve amerikan, thotë se qasja ose shprehja si presion nuk është adekuat, por është kërkesë e partnerëve që Kosova sa më parë të ketë institucione që kanë dalë nga vullneti i qytetarëve më 6 tetor.

“Në masë të madhe për politikat e punësimit jemi përafrua, për politikat që sigurojnë konkurrencë të lirë të tregut kemi përafrim. Disa prej projekteve të mëdha infrastrukturore janë përafrua, mbetet të diskutohen edhe disa tema në takimet e ardhshme, siç është fusha e energjetikës që është tepër me rëndësi si pjesë e programit të zhvillimit ekonomik. Për çështjen ambientale kemi përafrim, siç është mbrojtja e ambientit dhe promovimit të zhvillimit përmes shfrytëzimit të resurseve që ofron ambienti në Kosovë. Do të bisedojmë më tutje për disa prej ideve që kanë Lëvizja Vetëvendosje dhe besoj që edhe më një takim tjetër mund t’i përafrojmë edhe këto tema. Kemi diskutuar gjerësisht (për fondin Sovran) mbetet që të diskutohet edhe në takimin e ardhshëm”, thotë Hoti.

Anëtari i kryesisë së LDK-së deklaron se formula për ndarjen e posteve ministrore nuk është diskutuar. Kjo çështje sipas tij, iu takon dy liderëve politik të dakordohen për një formulë të ndarjes së resorëve për të siguruar që të balancohen përgjegjësitë, jo pushteti, por përgjegjësitë që do t’i kenë dy subjektet brenda koalicionit qeverisës.

“Ende nuk është diskutuar për ndarjen e resorëve, ajo që është bërë është për qeverinë, është reduktimi ministrive nga 21 sa janë tash në 12. Nuk kemi mbërri as brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë pikë(se a do të jem ministër i Financave), sepse ende nuk i dimë cilët resorë do të udhëhiqen nga Lidhja Demokratike, e tek pastaj janë diskutimet e brendshme të kryetarit me Kryesinë dhe me struktura të tjera brenda Lidhjes Demokratike për njerëzit që do të përfaqësojnë LDK-në në qeveri. Por pa dyshim që do të jenë njerëzit kompetent për të udhëhequr resorët që i takojnë… Prandaj, kemi profile më se të mjaftueshme dhe më të mira për gjithë resorët, por tash varet se si do të ndahen përgjegjësitë dhe mandej vendosim”, thotë ai.

Ish-ministri i Financave deklaron se buxhetin 2020 do ta bëj qeveria e re, i cili do të jetë vazhdimësi e projekteve që janë nisur në vitet paraprake.

Hoti shton se ajo që po bëhet tash është dakordimi i programit qeverisës për zhvillim ekonomik, për politika fiskale, për arsim, shëndetësi dhe në të gjitha politikat tjera, dhe është e natyrshme që nga ky program qeverisës të derivoj buxheti për vitin 2020 dhe për vitet në vijim.

“Duhet ta kenë të qartë të gjithë, sepse çdo gjë nuk fillon nga zero, edhe buxheti vitit 2020 do të përfshi obligimet që janë krijuar në vitet e kaluara, që do të jetë një vazhdimësi e projekteve që janë nisur ose obligimeve të ndryshme që kanë institucionet e shtetit. Ajo që është e qartë, është që buxheti I vitit 2020 do të bëhet nga Qeveria e re dhe do të miratohet nga kuvendi i ri i Republikës së Kosovës”, deklaron Hoti.

Edhe pse Hoti pati kritika për KQZ-në në zvarritjen e certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe kërkoi nga ky institucion që sa më parë të certifikohet vullneti i qytetarëve i dalë më 6 tetor, ai beson se mund të ketë qeveri të re brenda këtij muaj.

Shpresoj se po (në nëntor), nuk ka arsye pse mos të ndodhë. Shpresoj që në momentet që i kemi rezultatet e certifikuara, ne jemi të gatshme të lëvizim shpejt. Të thërrasim mbledhjen e kuvendit dhe normalisht mandej i takon partisë së parë që të çoj përpara këtë proces”, thotë Hoti.

Ndërsa, pas takimit të katërt të Grupeve punuese për rend dhe ligj të hënën do të jetë takimi i radhës për arsim dhe shëndetësi.