VV ia lë fajin Qeverisë për grevën e SBASHK-ut

Sipas VV-së ata se deshën grevën, por u detyruan të hyjnë në grevë

Lëvizja Vetëvendosje akuzon Qeverinë e Kosovës se është fajtore që SBASHK-u ka hyrë në grevë. Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, ka thënë se grevën nuk e deshën as mësimdhënësit, por u detyruan të hyjnë në grevë si pasojë e kësaj qeverie.

“Greva që nuk e deshën as mësimdhënësit erdhi si pasojë e kësaj qeverie. Sikur qeveria të mos i rriste pagat e veta, që me të drejtë nxiti shumë sektor nuk do të krijoheshin pakënaqësitë që janë sot. Sikur qeveria të mos i injoronte shqetësimet e sindikatës sot fëmijët nuk do të mbetnin pa mësim. Është detyrë e kësaj qeverie që së bashku me sindikatën të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme që mësimi të fillojë”, ka thënë ai.

Kurteshi ka bërë të ditur se nesër do të ftojnë një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit parlamentar për të diskutuar për grevën.

Ndërsa, deputetja Arbërie Nagavci, ka thënë se Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e SBASHK-ut.

“Nuk është sjell në votim të dytë projektligji për pagat dhe është e qartë se vet koalicioni qeverisës e ka vonuar këtë ligj. Qeveria e cila falë me dhjetëra miliona euro, që e stërmbush qeverinë me këshilltar nuk merret aspak me zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e papranueshme që projektligji për pagat parasheh rritje për presidentin kryeministrin dhe jo edhe për mësimdhënësit”, ka thënë ajo.

Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, nga sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme. Orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.

Përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre./21Media

Back to top button