VV-ja akuzon Thaçin për bllokimin njëvjeçar të KQZ-së

Sipas VV-së rreth 40 asamblistë presin më shumë së një vit për të marrë detyrën

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media për bllokimin një vjeçar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

Në këtë konferencë folën deputetja e Lëvizjes VV, Albulena Haxhiu dhe anëtari i deritanishëm në KQZ nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rustemi.

“KQZ-ja është organ i rëndësishëm kushtetues për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, por një pakicë qeveritare e politike po përpiqet artificialisht të bëhet shumicë në KQZ. Vetë Presidenti ende nuk po mund të pajtohet me faktin se Lëvizja Vetëvendosje mori mbështetjen më të madhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017. Përbërja e KQZ-së, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje, duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve. Pra, LVV duhet të ketë dy përfaqësues sikurse edhe LAA dhe koalicioni PAN”, thuhet në komunikatë.

Haxhiu ka thënë se është e papranueshme përpjekja për të paguar shërbimet e PSD-së, AAK-së dhe Nismës ndaj Thaçit duke përdorur një institucion kushtetues siç është KQZ-ja.

“Një ditë para se të votohej rezoluta për dialogun që tenton ta shuaj vetminë e Hashim Thaçit në ndërmarrjen e tij të rrezikshme për shkëmbimin territorial, nga Zyra e Presidencës iu është dërguar të gjitha grupeve parlamentare kërkesa për dërgimin e emrave në KQZ. Përpjekjet për të përdorur institucionet kushtetuese, siç është KQZ për të paguar shërbimet e PSD-së, AAK-së dhe NISMA-s ndaj Thaçit, janë të papranueshme dhe paralajmërim i thellimit dhe zgjerimit të kapësve e të kapjes së shtetit”, ka thënë Haxhiu.

Pavarësisht kërkesës së Thaçit për dërgim të një emri, Lëvizja ka dorëzuar dy emra për dekretim në zyrën e presidencës, bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, anëtarin e deritanishëm të KQZ, Adnan Rrustemi si dhe Nazlie Bala. Por po bëhet një vit nga kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bllokuar nga Presidenti dhe një vit e gjysmë nga kur është dashur që përbërja e KQZ-së të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Shumë punë të vitit të kaluar dhe të këtij viti të KQZ-së që po pamundësohen.

Aktivisti Adnan Rustemi tha se, rreth 40 asamblistë presin më shumë së një vit për të marrë detyrën, shumë kuvende komunale janë dëmtuar nga mos certifikimi i këtyre asamblistëve, shumë projekte e aktivitete të KQZ-së janë pamundësuar, shumë iniciativa të mbështetura nga organizata ndërkombëtare që kanë të bëjnë më ngritjen e kapaciteteve vepruese të KQZ-së kanë dështuar, e shumë detyrime tjera ligjore që janë në kompetencë të KQZ-së janë bllokuar, siç ka thënë ai nga bllokimi që i ka bërë Presidenti.

Prej dy muajsh dhe për të dytën herë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka dorëzuar dy të nominuarit për anëtarë të KQZ-së, por Presidenti në kundërshtim me afatet ligjore nuk i ka dekretuar dhe kështu po e mban peng institucionin.

“Ne kërkojmë nga Presidenti që në përputhje me obligimet të konfirmojë sa më parë dy anëtarët tanë të KQZ-së dhe kështu të funskionalizohet KQZ-ja. Çfarëdo vendimi tjetër do të jetë i papranueshëm dhe do të kundërshtohet me të gjitha mjetet ligjore”, thuhet në komunikatë.

Back to top button