Protesta fillon nga ora 11:55

Protesta fillon nga ora 11:55

Lëvizja Vetëvendosje sot proteston para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke filluar nga ora 11:55. Në njoftimin e VV-së thuhet se prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike.

“Më 26 prill, në ora 11:55, protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit Korrupsioni në vendin tonë është shtuar e përhapur si asnjëherë më parë. Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike. Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre. Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin. Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë.”, bëhet e ditur në njoftimin e tyre.

Po ashtu, sipas VV-së, kryeprokurori Lumezi është frikacak dhe i shantazhuar.

“Nga raportimet e përditshme nëpër medie për aferat korruptive të qeverisë e deri te të gjeturat e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit, asgjë nuk i bën përshtypje këtij kryeprokurori. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar. Sulmit dhe kërcënimeve të kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj, ai ju përgjigj me sulme e kërcënime shtesë kundër këtij vartësi të vet. Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë. Me këso lepurushash nuk mbahet republika e nuk bëhet shteti. Me hajna nuk ka shtet, por as me lepurusha nuk bëhet shteti. Andaj, për të premten e 26 prillit 2019, në ora 5 n’12, pra 5 minuta para mesditës, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për protestë paqësore para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë.”, bëhet e ditur më tej.

Për protestën e VV-së, ka reaguar kreu i vendit, Ramush Haradinaj i cili ka ftuar të shterojë të gjitha rrugët institucionale, të përdorë së pari interpelancat parlamentare, tryezat politike dhe debatet me ekspertët për sistemin e drejtësisë.

“Kosova është një shoqëri demokratike ku liria e shprehjes dhe protestës është një e drejtë e garantuar. Protesta kundër korrupsionit, me kërkesën për dorëheqjen e bartësve të pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si pushtet i ndarë, është e drejtë qytetare dhe politike. Por, presioni i rrugës mbi drejtësinë është precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj. Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt i respektueshëm parlamentar, e ftoj të shterojë të gjitha rrugët institucionale, të përdorë së pari interpelancat parlamentare, tryezat politike dhe debatet me ekspertët për sistemin e drejtësisë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Me moton “Protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit” mbahet protesta e paralajmëruar kohë më parë./21Media