VV-ja u kundërpërgjigjet kritikave për takimin Sveçla-Gjuriq

Vjen edhe një reagim nga VV-ja

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka u është kundërpërgjigjur kritikave të shumta pas takimit të anëtarit të kësaj partie, Xhelal Sveçla me të ashtuquajturin drejtor të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq në Tiranë. Ai përmes një postimi në Facebook i quan të mjera komentimet e tipit ‘dikur ju keni kritikuar tash dhe këta ndaj jush’.

“Ky është një keq lexim i kritikës së VV, pikënisja e kritikës/aksionit të VV nuk ka qenë leximi i realitetit përmes fotove, por të bëmave që ata politikanë kanë bërë. Fotografitë e tyre kanë qenë qershi mbi tortë. Ne kemi kritikuar qasjen në negociata, dëmet e marrëveshjeve e shumë dëme të tjera, prandaj dhe fotoja e shfaqur ka qenë prove e rezultatit të ekuacionit tonë matematikor aso kohe dhe jo e kundërta”, u shpreh ndër tjerash Manxhuka.

Mbrëmë anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, është parë duke biseduar në Tiranë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Fotografitë janë realizuar në Tiranë, në atë që njihet si “15-katëshi”, ku edhe po zhvillohej takimi.

Xhelal Sveçla pas publikimit të fotos së përbashkët me të ashtuquajturin shefin e zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, në sqarimin e tij u shpreh se po merr pjesë në një konferencë për bashkëpunim rajonal.

“Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosovës, ndryshe nga paraardhësit tanë”, ka shkruar Sveçla dje në Facebook.

Publikimi i fotos së ish-deputetit të LVV-së ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku me ironi theksohet se “Sveçla po diskuton në Tiranë për bashkim kombëtar”./21Media

Back to top button