VV kërkon ridraftimin e projektligjit për paga

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të dobët projektligjin për pagat i hartuar nga Qeveria

Sipas kësaj partie, ky projektligj nuk e rregullon kaosin i cili ekziston në sektorin e pagave tek nëpunësit publik.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se Qeveria ka miratuar një projektligj që në asnjë mënyrë nuk i rregullon problemet në sferën e pagave në Kosovë.
Madje, sipas saj, shumë nene të këtij projektligji janë krejtësisht kontradiktore mes vete.

“Kjo pabarazi e cila është prezente sidomos në agjencitë e pavarura por edhe ndërmarrjet publike si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Të gjitha këto mangësi Qeveria ka synuar t’i mënjanoj përmes projektligjit për pagat një dokument që ka 11 faqe. Por në vend se të kemi një dokument profesional që do të trajtonte këto problem lidhur me kompensimin e të punësuarve në sektorin publik Qeveria ka draftuar një projektligj krejtësisht të pastrukturuar, paqartësi, gabime logjike dhe jo përmbajtësore”, tha Nagavci.

Ajo theksoi se me këtë projektligj, Qeveria ka lënë që shumë çështje të zgjidhen përmes 15 udhëzimeve administrative që duhet të nxjerrën nga ministritë përkatëse.
Ndërsa, profesori Besnik Bislimi ka shpjeguar problemet që ka ky projektligj dhe nenet që duhet të ridraftohen sepse kanë shumë paqartësi.

Madje, sipas, tij, LVV mendon që duhet komplet projektligji të ridraftohet sepse nuk e rregullon sektorin e pagave në sektorin publik.

“Me specifikisht do të kërkonim riformulim të shumë neneve. Shembull, neni 3, ka nevojë për konsolidim, aty përmendet parimi i barazisë dhe mos diskriminimit, që në fakt vërehet se është e njëjta gjë. Pastaj ka nevojë ndërhyrje të neni 4 për ta shmangur kontradiktën për të cilën foli Arbëria. Ka nevojë për ndërhyrje tek neni 8 i cili liston 4 lloje shtesash mbi pagën bazë, më vonë shihet se ka shumë shtesa tjera, kështu që mjafton të thuhet se paga e nëpunësit përveç pagës bazë ka edhe shtesa tjera por pa i listuar katër sosh. Ka nevojë të ndërhyhet në nenin 9, pasi ka disa paragrafë që do duhej të ishin nene të veçanta”, theksoi Bislimi.

E pyetur nëse Vetëvendosje do ta votojë këtë projektligj nëse del në këtë mënyrë për votim në seancë, ajo tha se nuk është mirë për vendin të miratohet i tillë siç është, duke mos saktësuar nëse do ta votojnë ose jo.

Back to top button