Takimi tjetër të hënën

Takimi tjetër të hënën

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës zhvilluan sot takimin e radhës ku temë e diskutimit ishte sistemi i drejtësisë.

Arben Gashi nga LDK tha se biseduan për sigurinë e jashtme ku fokus kishin ushtrinë rritjen e kapacitetit të saj për anëtarësimin në NATO.

Sa i përket sigurisë së brendshme tha se do t’i kushtojnë rëndësi sigurisë në trafik, shkruan rtv21.tv.

Ndërsa tha se diskutuan edhe për formimin e një zyre shtetërore të hetimit. Ndonëse deklaroi se ende nuk janë marrë vesh në detaje për këtë zyrë, Gashi tha se kjo zyrë do të ketë disa komponentë: Luftën kundër krimit të organizuar, krimet politike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit në aspektin e antikorrupsionit dhe zyrtarëve të hetuar.

Po ashtu Gashi tregoi se në këtë takim u diskutua edhe për ligjin kundër krimeve të luftës dhe institutin për krime të luftës.

Sa i përket Gjykatës Speciale, ai tha se dy subjektet pajtohen parimisht që këto dhoma të specializuara duhet të vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës.

“Dhomat e Specializuar funksionojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës, dhe për ne këto dhoma duhet të ekzistojnë dhe ta kryejnë punën e vetë, dhe besoj që e njëjta vlen edhe për Vetëvendosjen”, tha ai.

Sipas Gashit takimi i radhës mes VV-së dhe LDK-së do të jetë të hënën në ora 15:00 dhe do të diskutohet për kulturën, rininë dhe arsimin./21Media