VV-LDK-së: Jemi për të gjetur zgjidhje, por jo përtej çdo racionaliteti

Sipas Nagavcit, nuk ka kohë për të humbur

Lëvizja Vetëvendosje sot i ka bërë thirrje prapë LDK-së për reflektim para seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të mbahet në orën 15:00.

Anëtarja e VV-së, Arbërie Nagavci është shprehur se dëshiron të besojë se në LDK ka njerëz që e duan ndryshimin.

“Dua të besoj se në LDK ka të tillë që e duan ndryshimin e menjëhershëm që i nevoitet vendit. Dua të besoj se deklarimet elektorale s’kanë qenë farsë e fjalë koti. Dua të besoj se ka zëra e mendje racionale që marrin vendime në të mirë të vendit. Këta zëra duhet t’i dëgjojmë sot, tani.Pres që diskutimet të jenë të bazuara në interesin e vendit. E interesi i vendit është krijimi i menjëhershëm i institucioneve, hapja rrugë profesionistëve e vendosja e standardeve të reja në qeverisje, në udhëheqje, në drejtësi, gjithandej në shoqëri.”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Ajo ka shtuar se nuk ka kohë për të humbur dhe se LDK është për të gjetur zgjidhje.

“Nuk kemi luksin të dekurajojmë rininë e as nevojë të mobilizohemi dhe një herë për zgjedhje. Energjia që do të shpenzohej për të na sjellur në të njejtën situatë, ku LV! del sërisht e para, (edhe pse me siguri me numër më të madh të deputetëve) do duhej orjentuar në mirqeverisje që tani. Kemi shumë punë përpara. Ka kohë akoma deri te fillimi i seancës. Pas kësaj vazhdohet me tjera afate. Ne jemi për të gjetur zgjidhje, por jo përtej çdo racionaliteti.”, ka shkruar më tutje Nagavci në facebook.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka mbledhur Kryesinë, kjo mbledhje e cila ka nisur në orën 10:00 ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, burime të RTV 21 brenda mbledhjes së Kryesisë së LDK-së bëjnë të ditur se kryetari Isa Mustafa e ka përmendur edhe njëherë ofertën e fundit të Vetëvendosje, që LDK ta ketë presidentin. LVV kërkon Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë që dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë, sot pasdite do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konform vendimit të presidentit, edhe kryesia e Kuvendit konfirmoi se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00./21Media

Back to top button