Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje publike LDK-së për arritje e një marrëveshjeje

Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje publike LDK-së për arritje e një marrëveshjeje

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci përmes një shkrimi të bërë sot ka deklaruar se nuk ka prioritet më të madh tani sesa krijimi i Qeverisë. Ajo shpreson që LDK t’i hapë rrugën krijimit të institucioneve.

“Në këto momente të rëndësishme për vendin, s’ka prioritet më të madh se themelimi i Qeverisë, se ndryshimi i mënyrës së qeverisjes të cilën e kemi parë që dy dekada tashmë, se jetësimi i vullnetit të qytetarëve, se ndalja me abuzimin që po vazhdon të bëjë me buxhet e vendime të dëmshme, qeveria e dorëhequr. Shpresoj se përfaqësuesit e LDK-së, një parti që e konsideron veten si institucionaliste, do t’i hapin udhë krijimit të institucioneve. Do të marrë përsipër përgjegjësitë që na dhanë qytetarët për të formuar qeverinë, në zgjedhjet parlamentare dhe në harmoni e respektim të Kushtetutës. Qeveria LV!-LDK do të ketë shumë punë para vetes, na është dhënë besimi e qytetarët presin të filloj sa më parë jetësimi i programit për të cilin jemi pajtuar tashmë bashkë.”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Ajo më tutje ka theksuar që shpreson që marrëveshja VV-LDK të bëhet para konstituimit të Kuvendit.

“Pres që përfaqësuesit e LDK-së dhe deputetët që kanë marrë përgjegjësi nga qytetarët, të jenë aktivistë të vërtet politik, të tillë që pozitën e deputetit e shofin si përgjegjësi, si mundësi për të punuar për të mirën e përgjithshme dhe se me votim të qeverisë do të fillojnë punën në realizimin e përgjegjësive për besimin që kanë marrë.”, ka shkruar më tutje deputetja.

Nagavci ka theksuar se vendit i nevojitet një qeveri e ndryshimit që bazohet në mirëbesim e bashkëpunim konstruktiv.

Kujtojmë që kreu i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa kanë zhvilluar disa takime, por deri tani nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion. /21Media