Kurti tha se lista e VV-së ka një qaje ndryshe

Kurti tha se lista e VV-së ka një qaje ndryshe

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se ndër vendimet e para që do t’i marrë nëse zgjedhet kryeministër, është reduktimi i shpenzimeve qeveritare. Ai tha se do të zvogëlojë qeverinë me numër të zëvendëskryeministrave, ministrave e këshilltarëve.

Këto Kurti i tha në prezantimin e listës së Vetëvendosjes për deputetë, për të cilën tha se pas 6 tetorit, do t’i japin Parlamentit një pamje të re.

Në prezantimin e listës së kandidatëve për deputetë, Albin Kurti tha se me të kryeministër, do të ketë njerëz meritor në udhëheqje të ministrive.

“Kur të numërohet edhe vota e fundit e 6 tetorit, Parlamenti do të ketë një pamje të re, ku pjesë me madhe do të jetë e mbushur me këto gra e këta burra, që sot janë pjesë e listës së fitores, listës së ndryshimit. Më falni që po i fshij djersët, por unë jam mësuar në shesh pa tavan, plus nuk po shkon vera. Pra në njërën anë ne të Vetëvendosjes do t’i japim Parlamentit njerëz të devotshëm e të ndershëm, të guximshëm e të dijshëm, e në anën tjetër do të krijojmë qeverinë më profesionale në historinë e Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se gjatë historisë së Kuvendit ka pasur deputetë që u ka munguar edukimi, kultura, dija e përvoja. Sipas tij, kjo e ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve te deputeti.

Kurti shtoi se lista e Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit është dëshmi e një qasje ndryshe. Ai tha se lista përfshinë juristë që e njohin kushtetutën dhe ekonomistë që njohin mundësitë ekonomike të Kosovës, siç tha ai, e dinë se çfarë politika duhen për të kaluar nga një ekonomi e rrënuar dhe e vjedhur në një ekonomi që zhvillon e punëson.

“Kanë kaluar 20 vjet prej kur Kosova u çlirua nga okupatori i jashtëm, ama uzurpuese e brendshme, nga një klan i pangopur i njerëzve që rrjepën e gërryen pasurinë e vendit dhe buxhetin e shtetit, që e rritën qeverinë, dhe e rrudhën shtetin, që e bënë qeverinë më shumë se sa pushtet, kurse shtetin më pak sesa republikë, më 6 tetor kjo merr fund. Andaj ndër vendimet e para që do të marr në zyrë ne kryeministrit do të jetë ai i reduktimit të shpenzimeve qeveritare. Kjo përfshin zvogëlimin e qeverisë, numrit të zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve e të tjera dhe pa shpenzimet e luksit dhe mëditjeve”, tha ai.

Sipas tij, koha e pushtetit si privilegj e si biznes në kurriz të qytetarëve po përfundon dhe po vjen dita e përgjegjësisë.

“Shumë na kanë dëmtuar ekonominë dhe na e kanë rrënuar drejtësinë por më në fund erdhi dita kur ndajmë të mirë nga e keqja, të drejtin nga keqbërësi. Shumë na kanë zvogëluar popullsinë e na e kanë nëpërkëmbur dinjitetin e na e kanë prishur imazhin por erdhi dita që ata të thyejnë qafën e të kthejmë shpresën e gëzimin, e nderin për vendin”, tha ai.

Në prezantimin e listës me kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit, Kurti tha se lista është e mbushur me njerëz me parime e vlerë, që kanë shpresë e guxim për të marshuar drejt një të ardhme ndryshe.