Protesta do të fillojë nga ora 18:00

Protesta do të fillojë nga ora 18:00

Në prag të Samitit të Ballkanit, i cili do të mbahet sot në Berlin, Lëvizja Vetëvendose, qendra Gjermani do të protestojë siç kanë thënë ata kundër pazareve Thaçi-Vuçiq.

Protesta e tyre do të mbahet para zyrës së Kancelarës së Gjermanisë në Berlin, duke filluar nga ora 18:00.

Kjo qendër nëpërmjet një komunikate theksohet se sipas qarqeve diplomatike dhe shtypit ndërkombëtar një prej temave kryesore të këtij samiti do të jetë Republika e Kosovës.

Sipas VV-së, përqendrimi kryesor i vëmendjes në ketë temë do të jetë trajtimi i pazareve të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, të cilët i bashkon marrëveshja e tyre gjentelmene për rrudhjen dhe cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

“Ku do mund të përfundonte një marrëveshje e tillë, e cila e ka pretekst herë “korrigjimin e kufijve” dhe herë “shkëmbimin territorial” na tregon sot shumë qartë shteti pothuajse jofunksional i Bosnjës dhe Hercegovinës”, bëhet e ditur në komunikatë.

Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.