Reagimi i VV-së pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

Reagimi i VV-së pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

Të hënën do të arrihet marrëveshja e koalicionit qeverisës me LDK-në, këtë e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media.

Në zgjedhjet e 6 tetorit ky subjekt politik mori më së shumti vota dhe do të ketë 29 deputetë, plus një nga IRDK-ja.

“U bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin fitues, subjektin e parë, me 221.001 vota, dhe, grupin më të madh parlamentar në Kuvend në legjislaturën e shtatë”, bëhet e ditur në njoftimin e tyre.

VV-ja gjithashtu ka falënderuar qytetarët, të cilët ia besuan votat e tyre këtij subjekti. Mirënjohje VV-ja ka shprehur edhe për komisionerët e vëzhguesit e angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, numërimesh e rinumërimesh që zgjati shumë, po ashtu edhe për aktivistët e vullnetarët që ndihmuan gjatë gjithë fushatës e më pas.

Mbi të gjitha përmes këtij postimi, VV-ja ka njoftuar se marrëveshja e koaliconi Qeverisës me LDK-në do të arrihet të hënën.

“Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës”, ka shkruar VV-ja.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa për herë të fundit janë takaur më 22 nëntor.  Në këtë takim është diskutuar për të arriturat e deritanishme të grupeve punuese por edhe për ndarjen e posteve udhëheqëse, në përjashtim të postit të presidentit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Partia me më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje , e dyta LDK-ja, e treta PDK, pas PDK-së vjen koalicioni AAK-PSD, dhe pas tyre Lista Serbe. Koalicioni Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë përfundimisht bëhet pjesë e kuvendit të Kosovës. /21Media