Mbrëmje e mbushur me spektakël në NBA

Mbrëmje e mbushur me spektakël në NBA

Golden State Warriors vazhdojnë me formë të lartë, këtë herë duke triumfuar ndaj Denver Nuggets me rezultat 124:114.

Një fitore kjo që erdhi falë paraqitjes fantastike të Stephen Curry i cili realizoi 34 pikë dhe shtoi 9 kërcime. Warriors vazhdojnë të kryesojnë Konferencën e Perëndimit.

Ndjekësi i parë i kampionëve në fuqi të NBA, Houston Rockets triumfoi si mysafir i Chicago Bulls, 116:107.

Ndonëse James Harden nuk mundi të luante shkaku i lëndimit në këtë takim, ishin dyshja Chris Paul dhe Eric Gordon ata që udhëhoqën Rockets drejt fitores. Si Paul ashtu edhe Gordon, të dy realizuan nga 24 pikë.

Zhgënjen Cleveland Cavaliers, që u mund me rezultat të thellë 99:127 nga Minnesota Timberwolves. Se kjo ishte një natë e keqe për Cavs, tregon fakti që Minnesota në një moment ka pasur epërsi prej 41 pikësh.

Andrew Wigins me 25 pikë ishte më efikasi për Timberwolves, derisa te Cavs zhgënjyen të gjithë, duke përfshirë LeBron James, i cili për 26 minuta lojë realizoi vetëm 10 pikë.

Interesante ishte sfida mes Brooklyn Nets dhe Toronto Raptors e cila u vendos vetëm pas vazhdimeve, ku kanadezët fituan me vetëm një pikë diferencë 114:113.

Edhe njëherë te Raptors u dallua DeMar DeRozan me 35 pikë të realizuara, që i mbanë në pozitën e dytë të Konferencës së Lindjes.